Skip to content

Shumica e të huajve vijnë në Zvicër me një vend pune të siguruar

@pixabay

Shumica e shtetasve të huaj që zhvendosen në Zvicër kanë siguruar një vend pune përpara se të mbërrijnë në vend

Sipas një studimi të ri të Zyrës Federale të Statistikave (BFS), më shumë se dy të tretat e personave që emigrojnë në Zvicër për arsye profesionale kanë gjetur punë para mbërritjes së tyre, transmeton albinfo.ch.

Edhe ata që mbërrijnë pa një kontratë pune integrohen relativisht shpejt në tregun zviceran të punës. Dy të tretat e tyre arrijnë të punësohen brenda tre muajve të parë.

Pothuajse tetë nga dhjetë shtetas të huaj deklarojnë se nuk kanë hasur vështirësi në gjetjen e një pune që përputhet me kualifikimet e tyre profesionale.

Njohja e gjuhës zyrtare të kantonit ku jetojnë mbetet një nga faktorët kryesorë për integrimin profesional. Më shumë se gjysma e emigrantëve kanë ndjekur kurse gjuhësore pas mbërritjes në Zvicër.

Ndërkohë, 12 për qind e personave që kanë përfunduar shkollimin jashtë Zvicrës kanë aplikuar për njohjen zyrtare të kualifikimeve të tyre. Rreth tri të katërtat e aplikuesve kanë marrë përgjigje pozitive.

Studimi zbulon gjithashtu se shumica dërrmuese e emigrantëve synojnë të qëndrojnë përgjithmonë në Zvicër. Një në dhjetë shtetas të huaj ka aplikuar tashmë për shtetësi zvicerane, ndërsa më shumë se dy të tretat e atyre që nuk kanë aplikuar ende synojnë ta bëjnë këtë në të ardhmen.

Sipas statistikave zyrtare, në vitin 2025, rreth 42 për qind e popullsisë së përhershme të Zvicrës, të moshës 15 vjeç e lart, kishte prejardhje migrimi