Studiuesja shqiptare Elza Shipoli ka mbrojtur me sukses doktoraturën në Histori në Universitetin Katolik Pázmány Péter në Budapest të Hungarisë, duke shënuar një arritje të rëndësishme në karrierën e saj akademike dhe në fushën e studimeve arkeologjike, transmeton albinfo.ch.
Lajmi është bërë i ditur nga Dega e Historisë në Institutin Albanologjik në Prishtinë, e cila ka njoftuar se mbrojtja është zhvilluar në Fakultetin e Shkencave Humane dhe Sociale, në kuadër të Shkollës së Doktoraturës në Histori, në programin e Arkeologjisë.
Disertacioni i saj mban titullin “Late Antique / Early Medieval Pottery in the Balkans: A Comparative Study of Kosovo Pottery” (Qeramika e antikitetit të vonë dhe mesjetës së hershme në Ballkan: Një studim krahasues i qeramikës së Kosovës).
Përmes këtij punimi shkencor, Shipoli ka trajtuar zhvillimet arkeologjike dhe kulturore të një periudhe të rëndësishme historike, duke u përqendruar në qeramikën e Kosovës dhe krahasimin e saj me gjetjet arkeologjike në rajonin e Ballkanit.
Elza Shipoli është e angazhuar në fushën e albanologjisë dhe arkeologjisë, ndërsa ka kontribuar edhe në veprimtarinë hulumtuese të Institutit Albanologjik në Prishtinë.
Mbrojtja e doktoraturës në një universitet ndërkombëtar përbën një tjetër arritje në rrugëtimin e saj akademik, si dhe një kontribut në studimin dhe dokumentimin shkencor të trashëgimisë arkeologjike të Kosovës./Albinfo.ch