Kompjuterët kuantikë mund të jenë në gjendje që deri në vitin 2030 të thyejnë sistemet aktuale të enkriptimit, duke rrezikuar sigurinë e të dhënave bankare, mjekësore dhe komunikimeve konfidenciale. Kështu paralajmërojnë ekspertët e sigurisë kibernetike, të cilët u bëjnë thirrje institucioneve dhe kompanive që të përgatiten për këtë sfidë teknologjike.
Sipas një raporti të transmetuesit publik zviceran RTS, Autoriteti Mbikëqyrës i Tregjeve Financiare në Zvicër (FINMA) u ka kërkuar bankave dhe kompanive të sigurimeve që të hartojnë plane konkrete për mbrojtjen e sistemeve të tyre nga sulmet e mundshme kuantike.
Megjithatë, përgatitjet janë ende në fazë të hershme. Sipas një ankete të FINMA-s, vetëm 8 për qind e institucioneve të përfshira kanë marrë vendime strategjike për këtë çështje, ndërsa 70 për qind nuk kanë ndërmarrë asnjë masë konkrete.
Ekspertët paralajmërojnë se kompjuterët kuantikë, falë fuqisë së tyre të madhe llogaritëse, mund të zgjidhin probleme matematikore që kompjuterët e zakonshëm do të kërkonin mijëra vjet për t’i përfunduar. Kjo mund t’u mundësojë sulmuesve të depërtojnë në sistemet aktuale të enkriptimit.
Një tjetër rrezik është strategjia e njohur si “Mbledh tani, deshifro më vonë”, përmes së cilës sulmuesit mbledhin dhe ruajnë të dhëna të enkriptuara me synimin që t’i deshifrojnë në të ardhmen, kur teknologjia kuantike të ketë kapacitetin e nevojshëm.
Për këtë arsye, specialistët theksojnë se institucionet nuk duhet të presin deri në vitin 2030 për të vepruar, por të fillojnë që tani kalimin në sisteme të reja të sigurisë, të cilat mund t’u rezistojnë edhe kompjuterëve kuantikë.