Dy adoleshentë janë shpëtuar nga policia pasi varka e tyre me vela u përmbys në Liqenin e Cyrihut, pranë Au-së në komunën Wädenswil, përcjell albinfo.ch.
Sipas Policisë Kantonale të Cyrihut, ngjarja ndodhi të premten në mbrëmje, më 20 nëntor. Njoftimi për varkën e përmbysur mbërriti në qendrën operative rreth orës 17:15.
Të rinjtë, të moshës 14 dhe 17 vjeç, qëndronin në ujë me jelekë shpëtimi dhe përdorën një bilbil dhe një dritë pulsuese për të tërhequr vëmendjen.
Patrulla e policisë liqenore i gjeti rreth 380 metra larg bregut dhe i mori në bordin e varkës policore.
Të dy ishin pa lëndime, por me hipotermi. Pas transportimit në bazën e policisë liqenore, një autoambulancë i dërgoi në spital.
Sipas njoftimit të 21 nëntorit, varka ishte fundosur dhe ende nuk ishte gjetur. Në operacion morën pjesë edhe shërbimi i shpëtimit liqenor i Wädenswilit dhe autoambulanca e spitalit të Horgenit./Albinfo.ch