22 Nëntori shënon Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, një nga datat më të rëndësishme në historinë kombëtare, që përkujton përfundimin e punimeve të Kongresit të Manastirit dhe njësimin e alfabetit të shqipes.
118 vite më parë, më 22 nëntor 1908, delegatë nga të gjitha trevat shqiptare dhe diaspora kurorëzuan përpjekjet e gjata për krijimin e një alfabeti të përbashkët, duke hedhur themelet e zhvillimit të arsimit, kulturës dhe identitetit kombëtar shqiptar.
Kongresi i Manastirit u zhvillua nga 14 deri më 22 nëntor 1908 në qytetin e Manastirit, sot Bitola në Maqedoninë e Veriut. Në këtë ngjarje historike morën pjesë përfaqësues të shoqërive kulturore dhe patriotike shqiptare, të cilët diskutuan dhe vendosën për standardizimin e shkrimit të gjuhës shqipe, transmeton albinfo.ch.
Përpara Kongresit, shqipja shkruhej me disa alfabete të ndryshme, çka vështirësonte komunikimin dhe zhvillimin e arsimit në gjuhën amtare. Pas debateve dhe diskutimeve, delegatët miratuan alfabetin e bazuar në shkronjat latine, të plotësuar me dy shkronjat karakteristike “ç” dhe “ë”, si dhe nëntë dyshkronjësha.
Vendimi i Kongresit konsiderohet një nga momentet më të rëndësishme të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, pasi krijoi mundësitë për botimin e librave në një standard të përbashkët, përhapjen e arsimit në gjuhën shqipe dhe zhvillimin e mëtejshëm të letërsisë dhe kulturës kombëtare.
Një rol të rëndësishëm në këtë proces historik luajtën figura të shquara të kohës, mes tyre Gjergj Fishta, Mit’hat Frashëri, Luigj Gurakuqi, Parashqevi Qiriazi, Ndre Mjeda, Sotir Peci dhe shumë patriotë të tjerë.
Përveç njësimit të alfabetit, Kongresi i Manastirit hartoi edhe një program me kërkesa arsimore, kulturore dhe kombëtare, duke vënë theksin te arsimi në gjuhën shqipe dhe forcimi i identitetit kombëtar.
Me rastin e 118-vjetorit të Kongresit të Manastirit, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe në diasporën shqiptare organizohen aktivitete përkujtimore, kulturore dhe shkencore në nderim të kësaj ngjarjeje që mbetet një gur themeli në historinë e kombit shqiptar.