Kosova ka lansuar të premten sistemin e pagesave të shpejta, i cili do t’u mundësojë qytetarëve dhe bizneseve të transferojnë para brenda pak sekondave, në çdo kohë të ditës dhe shtatë ditë në javë.
Në ceremoninë e lansimit të organizuar nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK), mori pjesë edhe kryeministri Albin Kurti, i cili e cilësoi këtë projekt si një hap të rëndësishëm në modernizimin e infrastrukturës financiare të vendit dhe përafrimin me standardet evropiane.
Sipas Kurtit, sistemi i ri do të mundësojë kryerjen e transfereve bankare pa u kufizuar nga orari i punës së bankave apo ditët e pushimit. Ai pritet të lehtësojë pagesat e përditshme, të përshpejtojë qarkullimin e mjeteve financiare për bizneset dhe të ulë kostot e transfereve për qytetarët.
Kurti ka thënë se ky projekt përbën edhe një hap konkret drejt integrimit të Kosovës në hapësirën financiare evropiane, duke e ndërlidhur atë me procesin e anëtarësimit në SEPA (Zona e Vetme e Pagesave në Euro).
Ai falënderoi Bankën Botërore për mbështetjen financiare, Ministrinë e Financave për koordinimin, si dhe BQK-në për udhëheqjen dhe realizimin e projektit.
Sipas BQK-së, sistemi do të fillojë së funksionuari më 23 nëntor në katër banka komerciale, ndërsa nga muaji shkurt pritet të shtrihet në të gjitha bankat në vend.