Skip to content

Shiroka Pula dhe ambasadorja kroate diskutojnë zgjerimin e bashkëpunimit

Në takim u diskutua për bashkëpunimin në mbrojtje, drejtësi, shëndetësi, arsim dhe shkencë, si dhe për shtimin e investimeve dhe shkëmbimeve tregtare.

Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka pritur në takim ambasadoren e Kroacisë në Kosovë, Danijela Barišić, me të cilën ka diskutuar për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, përcjell albinfo.ch.

Sipas njoftimit të Presidencës, Shiroka Pula ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen e Kroacisë që nga vitet e luftës, njohja e pavarësisë dhe proceset e konsolidimit të shtetit të Kosovës.

Ajo ka kujtuar edhe kontributin e shqiptarëve në luftën për lirinë e Kroacisë, duke e cilësuar atë si një urë të rëndësishme miqësie dhe afërsie ndërmjet dy popujve.

Gjatë takimit është diskutuar për konkretizimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, drejtësisë, shëndetësisë, arsimit dhe shkencës, si dhe për zgjerimin e shkëmbimeve ekonomike e tregtare dhe investimeve.

Presidentja ka theksuar rëndësinë që marrëdhëniet e afërta politike dhe diplomatike të shoqërohen me projekte konkrete në interes të qytetarëve të të dy vendeve.

Shiroka Pula ka vlerësuar gjithashtu angazhimin e ambasadores Barišić në forcimin e marrëdhënieve dhe miqësisë ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë./Albinfo.ch