Skip to content

Shumica e migrantëve që vijnë për punë në Zvicër e sigurojnë vendin e punës para mbërritjes

(KEYSTONE/Gaetan Bally)

Mbi dy të tretat kishin gjetur punë para ardhjes në Zvicër. Ndër ata që mbërritën pa një vend pune, dy të tretat u punësuan brenda tre muajve të parë.

Shumica e personave që kanë ardhur në Zvicër për arsye profesionale kanë pasur qasje të shpejtë në tregun e punës. Sipas rezultateve të anketës së vitit 2025, mbi dy të tretat kishin siguruar një vend pune para mbërritjes, përcjell albinfo.ch.

Të dhënat, të publikuara më 20 nëntor nga Zyra Federale e Statistikave (BFS), tregojnë se edhe ndër personat që kishin ardhur pa një vend pune, dy të tretat e kishin gjetur atë brenda tre muajve të parë.

Pothuajse gjysma e personave të ardhur nga jashtë zotëronin që para mbërritjes një gjuhë zyrtare të kantonit ku jetojnë.

Në vitin 2025, rreth 42 për qind e popullsisë me banim të përhershëm, të moshës 15 vjeç e lart, kishte prejardhje migrimi. Prej tyre, 38 për qind kishin shtetësi zvicerane.

Rezultatet përfshijnë persona që kanë ardhur në Zvicër në periudha të ndryshme, jo vetëm gjatë vitit 2025./Albinfo.ch