Skip to content

Rriten primet e sigurimit të automjeteve në Zvicër

(KEYSTONE/Christian Beutler)

Kompanitë e sigurimeve në Zvicër paralajmërojnë rritje të primeve të sigurimit të automjeteve gjatë vitit 2027. Shtrenjtimi i riparimeve, çmimeve të pjesëve rezervë dhe teknologjia gjithnjë e më e avancuar e veturave janë arsyet kryesore të kësaj rritjeje.

Pas sigurimeve shëndetësore, edhe ato të automjeteve pritet të shtrenjtohen në Zvicër. Shumica e kompanive të sigurimeve kanë paralajmëruar rritje të primeve gjatë vitit të ardhshëm, duke e arsyetuar këtë me kostot gjithnjë e më të larta të riparimit të automjeteve.

Fabienne Brunner, e cila ka një histori të pastër të drejtimit të automjetit dhe është kliente e së njëjtës kompani sigurimesh prej 30 vjetësh, nuk e kishte pritur një rritje kaq të madhe. Në vitin 2027, primi i sigurimit të veturës së saj do të rritet për 20 për qind.

“Vitin e kaluar primi im ishte më pak se 1.000 franga, ndërsa tani fatura ka arritur në 1.144,80 franga. Mendoj se kjo është një rritje enorme”, ka deklaruar ajo për televizionin zviceran RTS.

Kompanitë e mëdha të sigurimeve nuk kanë dhënë shifra konkrete për përmasat e rritjes, por të gjitha kanë konfirmuar se po shqyrtojnë shtrenjtimin e primeve. Si arsye kryesore përmendin rritjen e kostove të dëmeve, veçanërisht çmimet më të larta të riparimeve dhe pjesëve rezervë, si dhe kompleksitetin teknologjik të automjeteve moderne.

Riparimi i një feneri mund të kushtojë deri në 4.000 franga

Për të kuptuar se sa janë rritur kostot e riparimit, televizioni RTS vizitoi një servis të karrocerisë në Gjenevë.

Davide Gomes, përgjegjës i punishtes në “Carrosserie des Acacias”, shpjegon se një shembull konkret i këtij shtrenjtimi janë fenerët e automjeteve. Për shkak të teknologjisë së integruar, si ndriçimi LED, sistemet inteligjente dhe mekanizmat e përshtatjes automatike të dritave, çmimi i tyre është rritur ndjeshëm.

Sipas tij, gjatë pesë vjetëve të fundit, çmimi mesatar i një feneri është rritur nga 1.000 në 4.000 franga. Ndërkohë, çmimi i një dere të automjetit është rritur nga 600 në 800 franga, kurse një pasqyrë anësore që më parë kushtonte rreth 200 franga, sot mund të kushtojë deri në dhjetë herë më shumë.

Teknologjia e avancuar rrit kostot e riparimit

Shtrenjtimi nuk lidhet vetëm me çmimin e pjesëve. Serviset duhet të investojnë edhe në pajisje elektronike të specializuara, të cilat nevojiten për kontrollimin, përditësimin dhe kalibrimin e sistemeve të automjeteve.

“Kur çmontohet parakolpi, hiqen edhe kamerat dhe sistemet ACC. Pas montimit të tyre, ato duhet të kalibrohen sërish. Kjo sjell kosto shtesë, të cilat përfundojnë në faturat e sigurimeve”, shpjegon Gomes.

Sipas kompanisë Comparis, gjatë pesë vjetëve të fundit primet e sigurimit të automjeteve në Zvicër janë rritur për 19 për qind. Të dhënat tregojnë se kjo prirje pritet të vazhdojë edhe gjatë periudhës së ardhshme.