Rreth 11,4 mijë studentë nga Shqipëria ndiqnin studimet e larta jashtë vendit në vitin 2024, sipas të dhënave të Eurostat për 32 vende. Italia mbetet destinacioni kryesor, e ndjekur nga Gjermania, Greqia dhe Turqia.
Në vitet e fundit, Gjermania i është afruar Italisë, ndërsa numri i studentëve në Turqi ka rënë lehtë. Studentët shqiptarë rezultojnë më arsimdashësit, teksa numri i tyre është më i larti në gjithë Ballkanin, duke ia kaluar me 28% edhe Serbisë, që ka një popullsi tre herë më të lartë, shkruan Monitor, transmeton albinfo.ch.
Italia kryeson, Gjermania ngushton diferencën
Italia priti 3,561 studentë nga Shqipëria në vitin 2024, ndërsa Gjermania 2,965. Steyi gjerman po bëhet gjithnjë e më i preferuar për studentët shqiptarë. Që nga viti 2021, numri është rritur me rreth 19% në Gjermani, krahasuar me 5% në Itali.
Greqia renditej e treta, me 1,235 studentë, ndërsa Turqia e katërta, me 1,023. Në Turqi, numri i studentëve nga Shqipëria u rrit nga 644 në vitin 2014 në afro 1,150 në vitin 2020. Që atëherë ka rënë gradualisht, por mbetet mbi 1.000.
Pas katër destinacioneve të para renditeshin Franca (579) dhe Austria (530).
Rumania është një tjetër shtet i preferuar për nxënësit shqiptarë, me 291 të tillë, i ndjekur nga Maqedonia e veriut (172), Bullgaria (166), Belgjika (148) dhe Zvicra (142).
Shqipëria kryeson Ballkanin Perëndimor për studentët në BE
Nga studentët e regjistruar në gjithë Evropën, 9.968 studionin në Bashkimin Evropian, 4,7% më pak se në vitin 2023. Shqipëria kishte numrin më të lartë ndër gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, që së bashku kishin rreth 29 mijë studentë në BE.
Pas Shqipërisë renditeshin Serbia me 7.761 studentë, Bosnjë-Hercegovina me 6.080, Maqedonia e Veriut me 2.439, Kosova me 2.020 dhe Mali i Zi me 748.
BE, rekord me 1,65 milionë studentë nga jashtë
Në vitin 2024, 1,65 milionë studentë nga jashtë ndiqnin arsimin e lartë në BE, ose 8,7% e të gjithë studentëve. Rreth 515 mijë vinin nga vende të tjera të BE-së dhe 1,14 milionë nga vende jashtë saj. Sipas njoftimit të Eurostat, numri është rritur çdo vit që prej vitit 2016, kur nisi mbledhja e këtyre të dhënave dhe u regjistruan rreth 1,2 milionë studentë.
Gjermania priti numrin më të madh, me 438.260 studentë nga jashtë, e ndjekur nga Franca me 284.865 dhe Holanda me 176.470. Të tria vendet së bashku pritën 54,5% të totalit. Shifra për Holandën përjashton studentët e doktoraturës ose të niveleve të barasvlershme.
Luksemburgu kishte peshën më të lartë të studentëve nga jashtë në arsimin e vet të lartë, 51,5%, me 4.305 studentë. Pas tij renditeshin Malta (35,6%), Qiproja (21,6%) dhe Austria (20,8%). Peshën më të ulët e kishin Greqia (2,6%), Kroacia (3,5%) dhe Spanja (4,6%).