Qeveria franceze do t’u dërgojë të gjithë qytetarëve që mbushin 29 vjeç mesazhe informuese përmes portalit kombëtar të sigurimeve shëndetësore, me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit për fertilitetin, infertilitetin dhe mundësitë e ruajtjes së aftësisë riprodhuese.
Nisma është pjesë e planit kombëtar për fertilitetin, i cili synon të informojë qytetarët për ndikimin e moshës në mundësinë për të pasur fëmijë, në një kohë kur gjithnjë e më shumë çifte po e shtyjnë prindërimin për më vonë.
Ministrja franceze e Shëndetësisë, Stéphanie Rist, tha se shumë qytetarë nuk kanë informacionin e nevojshëm për fertilitetin në moshën kur kjo është më e rëndësishme.
Franca po përballet me rënie historike të lindshmërisë. Vitin e kaluar, për herë të parë që nga Lufta e Dytë Botërore, numri i vdekjeve ishte më i madh se numri i lindjeve.
Sipas vlerësimeve demografike, një në katër çifte deri në moshën 30-vjeçare nuk arrin të ketë fëmijë pas një viti përpjekjesh, ndërsa në moshën 40-vjeçare kjo shifër rritet në më shumë se një në dy çifte.
Në kuadër të planit, qeveria synon edhe zgjerimin e shërbimeve të riprodhimit të asistuar mjekësisht. Deri në fillim të nëntorit, në Francë janë autorizuar 30 qendra të reja, duke e çuar në 70 numrin e përgjithshëm të tyre.
Autoritetet franceze theksojnë se qëllimi i fushatës nuk është të ushtrojnë presion mbi qytetarët për të pasur fëmijë, por t’u mundësojnë atyre të marrin vendime të informuara për shëndetin dhe të ardhmen e tyre riprodhuese.
Masat e reja konkrete në kuadër të planit kombëtar për fertilitetin pritet të prezantohen në fillim të vitit 2027.