Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka riafirmuar synimin e Kosovës për t’u bërë anëtare me të drejta të plota e Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë (OIF).
Konjufca përfaqësoi Kosovën në Konferencën e 48-të Ministeriale të Frankofonisë, të mbajtur më 14 nëntor në Phnom Penh të Kamboxhias, përcjell albinfo.ch.
Në kuadër të kësaj pjesëmarrjeje, ai u takua me ministren e Punëve të Jashtme të Andorrës, Imma Tor. Qeveria e Andorrës njoftoi se Konjufca kërkoi mbështetjen e saj për anëtarësimin e plotë të Kosovës në OIF dhe në Këshillin e Evropës.
Pjesëmarrja e Kosovës në konferencë u përqendrua në forcimin e bashkëpunimit me vendet frankofone dhe angazhimin në nismat e organizatës.
Kosova ka statusin e anëtares së asociuar të OIF-së që nga viti 2018 dhe synon avancimin në anëtarësi të plotë./Albinfo.ch