Ish-ministri Astrit Haraqija është në mesin e personave të ndaluar në operacionin policor të koduar “Heshtja”, i cili u realizua më 14 nëntor në rajonin e Prishtinës. Arrestimin e tij e ka konfirmuar për RTKlive avokati Korab Bokshi.
Bokshi ka thënë se Haraqija është arrestuar mbrëmjen e kaluar dhe është intervistuar nga organet e hetuesisë, ndërsa është pyetur lidhur me disa persona që dyshohet se kanë të bëjnë me kontrabandimin e narkotikëve.
“Është e vërtetë që Astritin e kanë arrestuar mbrëmë. E kanë intervistuar, për efekt të hetimit nuk do të hyja në detaje, e kanë ndërlidhur me disa vepra kinse ka të bëjë me kontrabandim të narkotikëve. E kanë pyetur për disa persona, kinse ky si figurë publike i njeh”, ka deklaruar Bokshi.
Avokati ka mohuar që klienti i tij të ketë lidhje me këta persona, duke thënë se mund t’i ketë takuar në ngjarje politike, por nuk ka njohje apo shoqëri me ta.
Ai ka bërë të ditur se gjatë kontrollit në banesën e Haraqijës nuk është gjetur asgjë e dyshimtë, ndërsa janë sekuestruar vetëm disa kursime të fëmijëve të tij.
Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), ka realizuar një operacion antidrogë në rajonin e Prishtinës, ku janë arrestuar gjashtë persona të dyshuar për trafikim dhe shpërndarje të kokainës. Gjatë operacionit janë sekuestruar substanca narkotike dhe asete në vlerë rreth 301 mijë euro.
Sipas njoftimit të Policisë, operacioni i koduar “Heshtja” është zhvilluar më 14 nëntor, pas një hetimi të gjatë me masa të veçanta hetimore, që ka zbuluar dyshimet për funksionimin e një grupi të organizuar me strukturë hierarkike, nga drejtuesit deri te shpërndarësit e narkotikëve në rrugë.
Gjatë operacionit janë bastisur disa lokacione, janë arrestuar gjashtë persona, ndërsa një tjetër është liruar në procedurë të rregullt.
Policia ka bërë të ditur se janë sekuestruar rreth 1.6 kilogramë kokainë, sasi të tjera të dyshuara narkotike, përfshirë marihuanë, substancë të panjohur dhe tableta të dyshuara të ekstazisë.
Po ashtu, janë sekuestruar rreth 16 mijë euro në valuta të ndryshme, gjashtë vetura, përfshirë Mercedes-Maybach, Mercedes GLE, Porsche, Audi dhe VW Tiguan, si dhe ora luksoze të markave Rolex dhe Franck Muller, stoli, telefona dhe pajisje elektronike.
Në mesin e sendeve të sekuestruara janë edhe një armë zjarri, municion, thika, peshore digjitale dhe pajisje për paketimin e narkotikëve.
“Sipas vlerësimeve të bazuara në çmimin e shitjes së kokainës në tregun e rrugës, sasia e përgjithshme e kokainës së sekuestruar vlerësohet të ketë një vlerë të mundshme prej rreth 111 mijë eurosh”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Vlera e përgjithshme e substancave narkotike dhe aseteve të sekuestruara, sipas Policisë, arrin në rreth 301 mijë euro.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit, gjashtë të dyshuarit janë dërguar në ndalim policor për 48 orë.
Policia ka njoftuar se operacioni është zhvilluar nën mbikëqyrjen dhe koordinimin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda, ndërsa hetimet janë duke vazhduar.