Skip to content

Mercedes ndal investimet në Gjermani, shqyrton mbylljen e fabrikave dhe largimin e punëtorëve

Për shkak të mosmarrëveshjeve me sindikatat për uljen e kostove të prodhimit, prodhuesi gjerman i automjeteve ka vendosur të pezullojë investimet e reja në fabrikat vendase. Nëse nuk arrihet marrëveshje, në shqyrtim është edhe mbyllja e dy fabrikave.

Prodhuesi gjerman i automjeteve Mercedes-Benz ka vendosur të ndalojë të gjitha investimet e mëtejshme në fabrikat e tij në Gjermani, ndërsa po shqyrton konkretisht edhe mundësinë e mbylljes së disa njësive të prodhimit.

Vendimi vjen pas muajsh negociatash pa rezultat mes drejtuesve të kompanisë, përfaqësuesve të punëtorëve dhe sindikatës IG Metall, lidhur me uljen e kostove të prodhimit dhe rritjen e produktivitetit.

Drejtori i prodhimit të Mercedes-Benz, Michael Schiebe, ka konfirmuar se bordi drejtues ka vendosur të pezullojë të gjitha investimet e reja në lokacionet gjermane. Sipas tij, me strukturën aktuale të kostove, investimet e reja në Gjermani nuk janë ekonomikisht të realizueshme.

Ndërkohë, drejtoresha e burimeve njerëzore, Britta Seeger, ka paralajmëruar se kompania është e detyruar të shqyrtojë në mënyrë konkrete se cilat fabrika mund të vazhdojnë të operojnë në Gjermani.

Ajo ka theksuar se mbyllja e fabrikave dëshirohet të shmanget me çdo kusht, por kjo mundësi tashmë duhet të merret seriozisht në konsideratë.

Dy fabrika mund të preken nga mbyllja

Sipas raportimeve të mediave gjermane, në rast se nuk arrihet marrëveshje për uljen e kostove, në rrezik janë një fabrikë e montimit të automjeteve dhe një fabrikë e prodhimit të komponentëve të motorëve dhe sistemeve të transmisionit.

Deri më tani, kompania nuk ka bërë të ditur se cilat lokacione mund të preken nga një vendim i tillë.

Mercedes-Benz ka tri fabrika kryesore të montimit të automjeteve në Gjermani, në Sindelfingen, Rastatt dhe Bremen, si dhe disa lokacione të tjera ku prodhohen komponentë për automjete.

Sipas Handelsblatt, ndër fabrikat që përmenden në diskutimet e brendshme janë Rastatt dhe Bremen, por kompania nuk ka konfirmuar zyrtarisht asnjërën prej tyre si lokacion të rrezikuar.

Kompania kërkon orar më të gjatë pune pa rritje page

Një nga pikat kryesore të mosmarrëveshjes është kërkesa e drejtuesve të Mercedesit që punonjësit të punojnë më gjatë, pa kompensim shtesë financiar.

Kompania ka kërkuar ndryshime në orarin aktual të punës prej 35 orësh në javë, duke shqyrtuar mundësinë e rritjes së tij deri në 40 orë.

Në tavolinën e negociatave janë edhe çështjet e pagesave shtesë, përfshirë bonuset vjetore, pjesëmarrjen në fitim dhe pagesat për pushimet dhe festat e fundvitit.

Sipas Handelsblatt, objektivi i kursimeve të kompanisë përmes të ashtuquajturës ofensivë të produktivitetit është rreth 800 milionë euro në vit.

Nga ana tjetër, sindikata IG Metall kundërshton shkurtimin e përfitimeve dhe zgjatjen e orarit të punës pa kompensim. Ajo kërkon garanci për ruajtjen e vendeve të punës dhe investimeve në fabrikat gjermane.

Në kuadër të negociatave të përgjithshme për sektorin e metalurgjisë dhe industrisë elektrike, IG Metall ka kërkuar gjithashtu rritje pagash prej pesë për qind.

Përfaqësuesit e sindikatës kanë paralajmëruar se nuk do të pranojnë mbylljen e fabrikave dhe kanë kërkuar nga drejtuesit e Mercedesit plane konkrete për të ardhmen e punëtorëve dhe lokacioneve prodhuese.

Mercedes përballet me presion në tregun ndërkombëtar

Vendimi për pezullimin e investimeve vjen në një periudhë të vështirë për prodhuesin gjerman, i cili po përballet me rënie të shitjeve dhe fitimeve.

Dobësimi i kërkesës për automjete luksoze në Kinë, konkurrenca në rritje nga prodhuesit kinezë të automjeteve elektrike, tarifat amerikane dhe kostot e larta të prodhimit në Gjermani janë ndër faktorët që kanë ndikuar në rezultatet e kompanisë.

Sipas drejtuesit Michael Schiebe, kostot për një orë pune në prodhim në Gjermani janë në disa raste deri në pesë herë më të larta sesa në lokacionet e kompanisë në Evropën Lindore.

Mercedes-Benz aktualisht operon me 12 lokacione prodhimi në Gjermani.

Për momentin nuk është marrë ndonjë vendim përfundimtar për mbylljen e fabrikave. E ardhmja e tyre do të varet nga rezultati i negociatave mes kompanisë dhe përfaqësuesve të punëtorëve./Albinfo.ch