Skip to content

Probleme globale me shërbimet e Microsoft, ndërprerje edhe në Outlook dhe Teams

Përdoruesit në vende të ndryshme të botës po raportojnë vështirësi në qasjen në shërbimet e Microsoft 365. Kompania ka konfirmuar problemet dhe ka nisur hetimet për të identifikuar shkakun e ndërprerjeve.

Shërbimet e kompanisë teknologjike Microsoft po përballen me probleme teknike në disa rajone të botës, duke prekur edhe platformën e njohur të postës elektronike Outlook, si dhe aplikacione të tjera të paketës Microsoft 365, përcjell albinfo.ch.

Vetë kompania ka konfirmuar ndërprerjet përmes kanaleve të saj zyrtare, pas raportimeve të shumta nga përdoruesit për vështirësi në qasjen në shërbimet e saj.

Sipas Microsoft-it, problemet mund të ndikojnë në lidhjen me shërbimet Microsoft 365 në zona të ndryshme gjeografike. Kompania ka bërë të ditur se po shqyrton raportimet për vështirësi në qasjen në kutitë postare të Exchange Online, përmes mënyrave të ndryshme të lidhjes, veçanërisht në Amerikë.

Gjatë hetimeve, Microsoft ka identifikuar ngarkesë të lartë në një pjesë të infrastrukturës së saj në disa rajone, gjë që mund të jetë duke shkaktuar gabime në lidhje.

Përveç Outlook, raportime për probleme ka edhe me shërbime të tjera të Microsoft 365, përfshirë Microsoft Teams dhe Copilot, duke vështirësuar përdorimin e disa mjeteve të punës dhe komunikimit për përdoruesit.

Kompania ka bërë të ditur se po punon për të kufizuar ndikimin e ndërprerjeve dhe për të rikthyer funksionimin normal të shërbimeve./Albinfo.ch