Skip to content

Vjosa Osmani nderohet me çmimin “Global Diplomacy Award” në Turqi, ia dedikon Ibrahim Rugovës

Ish-presidentja e Kosovës u vlerësua në një ceremoni ku morën pjesë mbi 350 përfaqësues nga 32 shtete të botës, ndërsa çmimin ia kushtoi popullit të Kosovës dhe presidentit historik Ibrahim Rugova.

Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është nderuar me çmimin “Global Diplomacy Award” në Turqi, në një ceremoni të organizuar nga organizata “Global Journalism Council”, përcjell albinfo.ch.

Në këtë ngjarje morën pjesë mbi 350 pjesëmarrës nga 32 shtete të botës, ndërsa Osmani e cilësoi këtë vlerësim si një nder të veçantë.

Përmes një mesazhi pas pranimit të çmimit, ajo tha se diplomacia e vërtetë ndërton ura dhe qëndron në anën e drejtësisë.

Osmani bëri të ditur se çmimin ia dedikon popullit të Kosovës, duke përmendur sakrificën e tij për lirinë, si dhe presidentit historik Ibrahim Rugova, të cilin e cilësoi si atin themeltar të Republikës së Kosovës.

Ajo vlerësoi gjithashtu rolin e gazetarëve që raportuan gjatë luftës në Kosovë, duke theksuar guximin e tyre për të treguar të vërtetën dhe për të ndihmuar në shpëtimin e jetëve.

“Diplomacia e vërtetë ndërton ura dhe qëndron gjithmonë në anën e drejtësisë”, ka shkruar Osmani, duke falënderuar organizatorët për vlerësimin./Albinfo.ch