Skip to content

Diplomohen qindra mjekë në Kosovë, por mbeten pa punë, Gjermania tërheq gjithnjë e më shumë profesionistë

Mungesa e vendeve të punës dhe mundësive për specializim po ngre shqetësime për perspektivën e mjekëve të rinj në Kosovë. Ndërkohë, statistikat tregojnë rritje të vazhdueshme të numrit të mjekëve kosovarë që ushtrojnë profesionin në Gjermani.

 

Përderisa institucionet në Kosovë flasin për kthimin e mjekëve nga jashtë, një tjetër realitet po përballet me brezin e ri të profesionistëve shëndetësorë: diplomimi dhe licencimi nuk po garanton punësim në vend.

Sipas të dhënave të Odës së Mjekëve të Kosovës, 534 mjekë figurojnë aktualisht të papunë. Kjo, në një kohë kur gjatë dhjetë muajve të parë të vitit 2026 janë licencuar edhe 1 mijë e 42 mjekë.

Shifrat tregojnë se Kosova po vazhdon të nxjerrë kuadro të reja mjekësore, por mundësitë për përfshirjen e tyre në sistemin shëndetësor mbeten një sfidë. Mungesa e vendeve të punës dhe mundësive për specializim po shton pasigurinë për të ardhmen profesionale të të rinjve, duke i orientuar një pjesë të tyre drejt tregjeve evropiane të punës.

Të dhënat e Odës së Mjekëve tregojnë se gjatë periudhës 2022–2025 janë licencuar gjithsej 5 mijë e 224 mjekë, apo mesatarisht 1 mijë e 306 në vit.

Sa i përket interesimit për punësim jashtë vendit, njëri nga indikatorët është numri i kërkesave për certifikatën mbi të kaluarën etike dhe profesionale, dokument i nevojshëm për mjekët që synojnë të ushtrojnë profesionin jashtë Kosovës.

Sipas Odës së Mjekëve, numri i këtyre kërkesave ka shënuar rënie nga 211 në vitin 2022 në 95 në vitin 2025. Ndërsa gjatë vitit 2026, deri në kohën e përgjigjes, 91 mjekë kishin kërkuar pajisjen me këtë dokument.

Megjithatë, këto shifra nuk paraqesin domosdoshmërisht numrin e përgjithshëm të mjekëve që janë larguar nga vendi, por shërbejnë si një nga treguesit e interesimit për punësim jashtë Kosovës.

Një nga destinacionet kryesore për mjekët nga Kosova mbetet Gjermania. Sipas të dhënave të Odës së Mjekëve, gjatë vitit 2025 në këtë shtet ishin gjithsej 611 mjekë nga Kosova, prej të cilëve 568 ishin profesionalisht aktivë. Nga ta, 500 punonin në spitale.

Kjo shifër paraqet një rritje të konsiderueshme krahasuar me vitin 2015, kur në Gjermani ushtronin profesionin 191 mjekë nga Kosova.

Në anën tjetër, kryeministri Albin Kurti ka paraqitur një pasqyrë tjetër të zhvillimeve në këtë sektor, duke theksuar se gjatë vitit 2025 në Kosovë janë kthyer 171 mjekë për të jetuar dhe punuar.

“Vetëm gjatë vitit 2025, 171 mjekë u kthyen për të jetuar dhe punuar në Kosovë. I mirëpresim ata që vendosin të jetojnë e të punojnë këtu dhe çmojmë kontributin e kolegëve që vazhdojnë të punojnë jashtë vendit, por herë pas here kthehen në vendlindje për të ligjëruar, për të trajnuar mjekë të rinj ose për të punuar krahas ekipeve tona. Ky takim është shembull i një bashkëpunimi të atillë. Dëshirojmë që ai të vazhdojë edhe pas ditës së sotme, mes kolegëve dhe institucioneve ku ata punojnë”, ka deklaruar Kurti.

Kthimi i një pjese të mjekëve është zhvillim pozitiv për sistemin shëndetësor, por shifrat e papunësisë dhe rritja e numrit të profesionistëve që punojnë në Gjermani rikthejnë në vëmendje një çështje thelbësore: sa mundësi po u ofron Kosova mjekëve të rinj për të ndërtuar karrierën e tyre profesionale në vend?

Përtej diplomimit dhe licencimit, sfida mbetet krijimi i vendeve të punës, sigurimi i mundësive për specializim dhe ndërtimi i kushteve që profesionistët e rinj të mos e shohin largimin drejt vendeve evropiane si alternativën e vetme për zhvillimin e tyre profesional./Albinfo.ch