Skip to content

Rilinda Plakaj, shkencëtarja nga Drenasi që po avancon në studimet e Kimisë Teorike në Itali

Pas përfundimit të studimeve Bachelor dhe Master në Universitetin e Prishtinës, ajo vazhdoi specializimin në Itali, ku aktualisht ndjek studimet e Doktoratës në Universitetin e Triestes.

Rilinda Plakaj nga Drenasi ka ndërtuar një rrugëtim akademik në fushën e kimisë, duke vazhduar studimet nga Kosova në Itali dhe duke u specializuar në Kimi Teorike, transmeton albinfo.ch. 

Ajo ka përfunduar studimet Bachelor në Kimi në Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore në Universitetin e Prishtinës, ndërsa studimet Master i ka ndjekur në programin Kimi Fizike dhe Inorganike, në vitin akademik 2021/2022.

Më pas, Plakaj vazhdoi formimin akademik përmes programit të përbashkët evropian Kimi Teorike dhe Modelime Kompjuterike (TCCM), i ofruar nga nëntë universitete në Itali, Spanjë, Francë, Belgjikë dhe Holandë.

Aktualisht, ajo është në vitin e tretë të studimeve të Doktoratës në Kimi Teorike në Universitetin e Triestes në Itali, ku studimet i ndjek me financim nga ky universitet.

Rrugëtimi i saj akademik është shoqëruar edhe me vlerësime për rezultatet shkencore. Në vitin 2026, punimi i saj i diplomës Master në Kimi Teorike u shpërblye me çmimin “Pier Luigi Nordio” nga Shoqata e Kimistëve Italianë, si punimi më i mirë në këtë fushë në Itali./Albinfo.ch