Edhe në moshë shumë të vogël, fëmijët kanë të drejtë të vendosin për privatësinë dhe imazhin e tyre. Megjithatë, një në dy prindër nuk kërkon pëlqimin e fëmijëve para se të publikojë fotografitë e tyre në internet.
Publikimi i fotografive të fëmijëve në rrjetet sociale, pa pëlqimin e tyre, po ngre gjithnjë e më shumë shqetësime lidhur me të drejtën e privatësisë dhe mbrojtjen e imazhit të tyre.
Sipas një studimi të porositur nga organizata zvicerane për mbrojtjen e fëmijëve (Child Protection Switzerland), ku morën pjesë 1.600 prindër dhe që u publikua në vitin 2024, pothuajse një në dy prindër nuk kërkon kurrë pëlqimin e fëmijës para se të publikojë fotografinë e tij në internet.
Në një emision të transmetuesit publik zviceran RTS, dy eksperte kanë diskutuar kufirin ndërmjet autoritetit prindëror dhe të drejtës së fëmijëve për privatësi.
Ligji mbron të drejtën e fëmijëve për privatësi
Priscille Ramoni, partnere në zyrën ligjore Derville në Lozanë dhe anëtare e komitetit drejtues të organizatës Swiss Children’s Lawyers, thekson se privatësia e fëmijëve mbrohet me ligj.
Sipas saj, nenet 28 e vijues të Kodit Civil zviceran mbrojnë personalitetin dhe mundësojnë ndërprerjen e çdo cenimi të të drejtave personale.
Këto dispozita vlejnë edhe për fëmijët. Sapo ata të kenë aftësinë për të kuptuar dhe vlerësuar pasojat e një vendimi, janë vetë ata që duhet të vendosin për përdorimin e imazhit të tyre.
Nuk ka një moshë të përcaktuar për dhënien e pëlqimit
Në Zvicër nuk ekziston një moshë e përcaktuar ligjërisht në të cilën një fëmijë konsiderohet se ka aftësi të mjaftueshme për të marrë vendime të tilla.
Ramoni shpjegon se Konventa për të Drejtat e Fëmijës, në nivel ndërkombëtar, përcakton parimin se aftësia e fëmijës për të kuptuar duhet të prezumohet dhe se duhet të vërtetohet e kundërta.
Sipas saj, në vend që të caktohet një kufi i prerë moshe, duhet të dëgjohet edhe mendimi i fëmijëve shumë të vegjël.
Ajo thekson se edhe fëmijët e vegjël mund të shprehin pëlqimin ose kundërshtimin e tyre, nëse u shpjegohet qartë situata.
Për shembull, prindërit mund t’u tregojnë se, nëse fotografia publikohet në internet, atë mund ta shohin shumë njerëz dhe nuk dihet se si mund të përdoret më pas. Në këtë mënyrë, fëmija mund të kuptojë situatën dhe të shprehë nëse dëshiron apo jo që fotografia e tij të publikohet.
Edhe Florence Desbois, përgjegjëse për politikat dhe mediat në organizatën Pro Juventute, vlerëson se që nga mosha katërvjeçare fëmijët mund të shprehin qartë pëlqimin ose kundërshtimin e tyre.
Megjithatë, ajo rekomandon që secili rast të vlerësohet veçmas, duke marrë parasysh nivelin e të kuptuarit të fëmijës dhe mënyrën se si i shpjegohen pasojat e publikimit.
Prindërit dhe gjyshërit shpesh nuk i kuptojnë rreziqet
Një tjetër problem lidhet me mungesën e vetëdijesimit të prindërve dhe gjyshërve për privatësinë e fëmijëve në hapësirën digjitale.
Desbois vëren se shumë prej tyre nuk kanë njohuri të mjaftueshme për funksionimin e platformave teknologjike dhe mundësitë që ofrojnë ato për mbrojtjen e privatësisë.
Shpesh, nga krenaria apo dëshira për të ndarë momente të bukura familjare, publikohen fotografi të nipërve dhe mbesave pa u kërkuar më parë pëlqimi i tyre.
Sipas saj, brezat e rinj janë më të vetëdijshëm për këtë çështje dhe i kuptojnë më mirë rreziqet që lidhen me publikimin e të dhënave dhe fotografive në internet.
Priscille Ramoni thekson se prindërit kanë të drejtë të kërkojnë largimin e fotografive të fëmijëve, veçanërisht kur ata janë të vegjël. Edhe adoleshentët mund të kërkojnë që fotografitë e tyre të hiqen nga rrjetet sociale.
Për ta bërë më të kuptueshme këtë çështje për gjyshërit, Desbois propozon një krahasim me jetën e përditshme: të imagjinojnë sikur ndodhen në rrugë dhe vendosin t’ua tregojnë fotografitë e nipërve apo mbesave njerëzve krejtësisht të panjohur.
A do të kishte kuptim një veprim i tillë? Sipas saj, sapo një fotografi publikohet në internet, largimi i saj mund të jetë shumë i vështirë.
Mbuluarja e fytyrës me emoji nuk garanton mbrojtje
Disa prindër përpiqen të mbrojnë identitetin e fëmijëve duke ua mbuluar fytyrën me emoji ose duke e turbulluar atë para publikimit të fotografive.
Megjithatë, sipas Desbois, kjo nuk përbën një masë të mjaftueshme sigurie, pasi ekzistojnë mjete teknologjike që mund të ndihmojnë në identifikimin ose rikthimin e pamjes së fytyrës.
Ajo paralajmëron se zhvillimi i inteligjencës artificiale i ka shtuar mundësitë e përpunimit të imazheve dhe rekomandon që zgjidhja më e sigurt të jetë shmangia e publikimit të fotografive të fëmijëve.
Në rastet kur prindërit vendosin t’i publikojnë ato, duhet të tregojnë kujdes të veçantë dhe, ndër të tjera, të zgjedhin fotografi ku fëmija shihet së paku nga pas.
Mesazhi kryesor i eksperteve është se fotografia e një fëmije nuk është thjesht një kujtim familjar për t’u shpërndarë në rrjetet sociale. Ajo lidhet me privatësinë, identitetin dhe të drejtat e një personi që duhet të respektohen që në moshë të hershme.