Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pranuar një letër urimi nga kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Andy Burnham, i cili ka riafirmuar mbështetjen britanike për Kosovën si shtet sovran, të pavarur dhe shumëetnik, përcjell albinfo.ch.
Në letrën e tij, Burnham ka vlerësuar marrëdhëniet e ngushta dhe partneritetin e kahershëm ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar, duke rikujtuar mbështetjen britanike për Kosovën dhe njohjen e pavarësisë së saj.
Kryeministri britanik ka theksuar se vendi i tij mbetet i përkushtuar ndaj zhvillimit të Kosovës dhe bashkëpunimit të vazhdueshëm për promovimin e stabilitetit dhe sigurisë në Evropë.
Ai ka nënvizuar gjithashtu rëndësinë e drejtësisë ndërkombëtare, llogaridhënies dhe sundimit të ligjit për arritjen e pajtimit të qëndrueshëm dhe forcimin e stabilitetit rajonal.
Në mesazhin e tij, Burnham ka shprehur gatishmërinë për të vazhduar bashkëpunimin me kryeministrin Kurti në adresimin e sfidave të përbashkëta evropiane.
Një vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe forcimit të marrëdhënieve ekonomike ndërmjet dy vendeve, si dhe bashkëpunimit në luftimin e krimit të rëndë të organizuar.
Mbretëria e Bashkuar mbetet një nga partnerët e rëndësishëm ndërkombëtarë të Kosovës, me një rol të vazhdueshëm në mbështetjen e sigurisë, zhvillimit institucional dhe stabilitetit në rajon.
