Skip to content

Makina e famshme KITT nuk gjen blerës në Cyrih, oferta më e lartë arrin 200 mijë franga

Automjeti i njohur nga seriali "Knight Rider" u nxor në ankand në Cyrih, por oferta më e lartë nuk arriti çmimin minimal të kërkuar prej 250 mijë frangash.

Makina legjendare KITT, e njohur nga seriali televiziv “Knight Rider”, nuk ka arritur të gjejë blerës gjatë një ankandi të organizuar të shtunën në hotelin Dolder Grand në Cyrih, përcjell albinfo.ch.

Çmimi minimal i përcaktuar për automjetin ishte 250 mijë franga zvicerane, ndërsa oferta më e lartë arriti vetëm 200 mijë franga. Për këtë arsye, makina mbetet në pronësi të muzikantit zviceran Urs Kunz, nga Lucerna.

Automjeti, një Pontiac Firebird Trans AM i vitit 1982, është një nga modelet më të njohura në historinë e televizionit, falë serialit amerikan “Knight Rider”, ku aktori David Hasselhoff interpretonte personazhin Michael Knight.

Makina e nxjerrë në ankand ishte përshtatur sipas planeve origjinale të produksionit dhe kishte shoqëruar David Hasselhoff në koncerte, turne promovuese dhe paraqitje televizive.

Sipas dokumentacionit të automjetit, ajo ishte përdorur edhe gjatë një paraqitjeje në televizionin zviceran më 26 nëntor 1990.

Historia e makinës përfshin edhe një incident të pazakontë. Gjatë viteve 1990, automjeti ishte vjedhur në Itali, por më vonë ishte gjetur dhe kthyer falë ndërhyrjes së Interpolit.

Megjithëse është restauruar dhe është në gjendje funksionale, makina nuk ka leje për qarkullim në rrugët publike për shkak të modifikimeve të veçanta.

Urs Kunz e zotëron automjetin që nga viti 1999, ndërsa mbetet e paqartë nëse ai do të organizojë një tjetër ankand për shitjen e tij.