Kosova tashmë paraqitet si shtet i pavarur në platformën e Aquarium Berlin, pas reagimit të qytetarëve dhe angazhimit diplomatik të institucioneve kosovare, transmeton albinfo.ch.
Lajmi është bërë i ditur nga Ambasada e Kosovës në Gjermani, e cila ka vlerësuar se ky rezultat është dëshmi se reagimi qytetar dhe diplomacia aktive mund të sjellin rezultate konkrete.
Në njoftimin e saj, Ambasada u ka bërë thirrje qytetarëve që të raportojnë rastet kur institucionet apo kompanitë gjermane nuk e paraqesin Kosovën ose qytetet e saj në mënyrë korrekte.
Për këtë qëllim, qytetarët mund të kontaktojnë Ambasadën në adresën elektronike [email protected], duke bashkëngjitur dëshmitë përkatëse, në mënyrë që pasaktësitë të adresohen dhe të korrigjohen.
Ambasada ka theksuar se bashkëpunimi ndërmjet qytetarëve dhe diplomacisë mbetet i rëndësishëm për paraqitjen e drejtë të Kosovës në institucionet dhe platformat ndërkombëtare./Albinfo.ch