Skip to content

Lutfi Dalipi refuzon Zvicrën, pritet të zgjedhë Kosovën ose Shqipërinë

Futbollisti 20-vjeçar i Vaduzit ka refuzuar edhe një ftesë për ndeshjet e ardhshme të Zvicrës U-21. Sipas mediumit zviceran Blick, ai i ka premtuar gjyshit se do të luajë për Kosovën ose Shqipërinë.

Futbollisti me prejardhje shqiptare, Lutf(i) Dalipi, ka refuzuar të përfaqësojë Zvicrën, ndërsa e ardhmja e tij ndërkombëtare pritet të jetë te Kosova ose Shqipëria, transmeton albinfo.ch.

20-vjeçari, i cili po kalon një sezon të mirë me FC Vaduzin, ka regjistruar 14 kontribute në gola në kampionat, por pavarësisht formës së tij, nuk është përfshirë në planet e përfaqësueses zvicerane.

Madje, Dalipi ka refuzuar edhe një ftesë për ndeshjet e ardhshme të Zvicrës U-21. Arsyeja e tij, sipas raportimit, është se nuk dëshiron t’ia zërë vendin një futbollisti tjetër, nëse vendimin për të ardhmen e tij ndërkombëtare tashmë e ka marrë.

Futbollisti i Vaduzit i kishte premtuar gjyshit të tij se në të ardhmen do të luante për Shqipërinë ose Kosovën.

Vendimi përfundimtar se cilën përfaqësuese do ta zgjedhë pritet të bëhet i ditur gjatë javëve të ardhshme.

Kështu, Kosova dhe Shqipëria mund të fitojnë një futbollist që po spikat me paraqitjet e tij në futbollin zviceran.