Skip to content

Pesë kadetë të Kosovës diplomojnë në akademitë ushtarake të Gjermanisë

Xheto Kelmendi, Leutrim Nika, Gentrit Azemi, Lavdim Sylejmani dhe Betim Elshani përfunduan studimet trevjeçare dhe do t’i bashkohen trupës së oficerëve të Ushtrisë së Kosovës.

Pesë kadetë nga Kosova kanë përfunduar studimet trevjeçare në akademitë ushtarake të Gjermanisë, duke fituar përgatitje profesionale në fusha të ndryshme ushtarake, shkruan albinfo.ch.

Ceremonia e diplomimit u mbajt në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Berlin, në prani të përfaqësuesve ushtarakë të Ministrisë Federale të Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura të Gjermanisë.

Në mesin e të diplomuarve, Xheto Kelmendi përfundoi studimet në fushën e këmbësorisë, Leutrim Nika në logjistikë, Gentrit Azemi në IT ushtarake, ndërsa Lavdim Sylejmani dhe Betim Elshani në polici ushtarake.

Pas përfundimit të studimeve, pesë të rinjtë do t’i bashkohen trupës së oficerëve të Ushtrisë së Kosovës, ku do të angazhohen me njohuritë dhe përgatitjen e fituar në akademitë gjermane.

Bashkëpunimi ushtarak ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë ka mundësuar deri më tani diplomimin e 18 kadetëve kosovarë në akademitë ushtarake gjermane. Ndërkohë, 16 të tjerë po vazhdojnë studimet në institucione të ndryshme ushtarake në Gjermani.

Përmes programit Military Training Assistance, më shumë se 80 pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë marrë pjesë në trajnime të ndryshme në Gjermani.

Ky bashkëpunim synon zhvillimin e kuadrove profesionale dhe forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës/Albinfo.ch

Përshkrimi i fotografisë nuk është i disponueshëm.