Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka pritur në takim ministrin e Punëve të Jashtme të Zvicrës dhe njëherësh kryesuesin e OSBE-së, Ignazio Cassis, me të cilin ka diskutuar për marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve dhe mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit, transmeton albinfo.ch.
Gjatë takimit, presidentja vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës, duke e falënderuar Cassisin për mbështetjen e vazhdueshme të shtetit zviceran.
Ajo theksoi rëndësinë e thellimit të marrëdhënieve ekonomike, rritjes së shkëmbimeve tregtare dhe shtimit të investimeve zvicerane në Kosovë. Sipas saj, bilanci tregtar ndërmjet dy vendeve është pozitiv, por ekziston potencial për ta zgjeruar edhe më tej bashkëpunimin, përfshirë mundësitë që ofron EFTA.
Një tjetër çështje e diskutuar ishte mbështetja e Zvicrës për fuqizimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës dhe përpjekjet e saj për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.
Presidentja Shiroka Pula vuri në pah edhe rolin e mërgatës shqiptare në Zvicër, duke e cilësuar atë si një urë të rëndësishme lidhëse ndërmjet dy shteteve. Ajo shprehu gjithashtu mirënjohje për angazhimin e kontingjentit zviceran të KFOR-it në Kosovë që nga viti 1999.
Nga ana e tij, Cassis rikonfirmoi se Zvicra do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën edhe në të ardhmen, duke shprehur përkrahjen e tij edhe për presidenten Shiroka Pula./Albinfo.ch