Mungesa e internetit apo pamundësia për ta përdorur telefonin inteligjent mund të shkaktojë shqetësim dhe pasiguri te një pjesë e madhe e popullsisë në Zvicër. Sipas një ankete të realizuar nga shërbimi i krahasimit Comparis, 75 për qind e të anketuarve shfaqin shenja të moderuara deri të theksuara të varësisë nga telefoni, përcjell albinfo.ch.
Në shtatë për qind të rasteve, këto shenja janë veçanërisht të theksuara. Ndërkaq, te grupmosha 16 deri në 35 vjeç, pothuajse gjysma e të anketuarve shfaqin shenja të qarta të kësaj varësie.
Fenomeni lidhet edhe me të ashtuquajturën nomofobi, term që vjen nga shprehja angleze “no mobile phone phobia” dhe përshkruan frikën apo ankthin që shfaqet kur një person mbetet pa telefonin e tij inteligjent.
Të dhënat e anketës tregojnë se sa shumë është bërë telefoni pjesë e përditshmërisë, ndërsa shqetësimi për të mbetur pa të është më i madh te grupmoshat e reja./Albinfo.ch