Skip to content

Vandalizëm në Cyrih: Dëmtohet një Porsche, riparimi mund të kushtojë deri në 30 mijë franga

Një automjet luksoz i markës Porsche është dëmtuar rëndë gjatë natës së Halloween-it në Cyrih. Dëmet materiale vlerësohet se mund të arrijnë deri në 30 mijë franga zvicerane, ndërsa autorët e vandalizmit mbeten ende të panjohur

Një tjetër incident vandalizmi është raportuar në qytetin e Cyrihut, pas natës së trazuar të Halloween-it, gjatë së cilës u regjistruan përplasje të dhunshme ndërmjet demonstruesve dhe forcave të policisë.

Sipas raportimeve të mediave zvicerane, një Porsche e parkuar në lagjen Friesenberg është dëmtuar dhe është lyer me sprej gjatë natës ndërmjet së shtunës dhe së dielës, më 31 tetor dhe 1 nëntor, transmeton albinfo.ch.

Automjeti ndodhej rreth pesë kilometra larg distriktit Kreis 4, ku një demonstratë e paautorizuar përfundoi me trazira, djegie të barrikadave dhe dëmtime të shumta materiale.

Një lexues i gazetës zvicerane 20 Minuten ka filmuar automjetin e dëmtuar, ndërsa deri më tani nuk dihet se kush qëndron pas këtij akti vandalizmi. Gjithashtu, nuk është konfirmuar nëse incidenti ka lidhje të drejtpërdrejtë me trazirat e zhvilluara në pjesë të tjera të qytetit.

Dëmet e shkaktuara mund të jenë të konsiderueshme. Tregtari i automjeteve Stéphane Thommen ka vlerësuar se riparimi i Porsches në një servis zyrtar të markës mund të kushtojë deri në 30 mijë franga zvicerane.

Sipas tij, nëse pronari vendos ta riparojë automjetin në një servis të pavarur, shpenzimet mund të jenë më të ulëta, rreth 20 mijë franga. Kompania në emër të së cilës është regjistruar automjeti nuk ka pranuar të komentojë incidentin.

Ndërkohë, nata e Halloween-it në Cyrih u shoqërua me incidente të shumta. Në distriktin Kreis 4, demonstruesit dogjën kontejnerë mbeturinash, thyen xhamat e lokaleve dhe dëmtuan disa automjete. Mes tyre ishte edhe një Tesla, së cilës iu vu flaka.

Policia ndërhyri me forca të shumta, duke përdorur topa uji, substanca irrituese dhe plumba gome për të shpërndarë grupet e dhunshme dhe për të rikthyer rendin publik.

Ngjarjet kanë shkaktuar reagime të shumta në opinionin publik zviceran, ndërsa dëmet materiale të shkaktuara gjatë trazirave ende nuk janë përcaktuar plotësisht.