Skip to content

Bënë shqiponjën me duar në Mal të Zi, katër gjimnazistë shqiptarë kalojnë natën në polici

Katër nxënës nga Durrësi janë shoqëruar nga policia malazeze pas një incidenti me një grua të moshuar në Kotorr. Të rinjtë janë liruar të dielën.

Katër gjimnazistë shqiptarë nga Durrësi kanë kaluar natën në ambientet e policisë në Kotorr të Malit të Zi, pas një incidenti që dyshohet se nisi kur të rinjtë bënë me duar simbolin e shqiponjës dykrenare, përcjell albinfo.ch.

Nxënësit e gjimnazit “Naim Frashëri” ndodheshin në Mal të Zi në kuadër të një ekskursioni shkollor, kur të shtunën, më 31 tetor, janë përfshirë në një përplasje me një grua të moshuar vendase.

Sipas raportimeve të mediave shqiptare, incidenti ka ndodhur teksa nxënësit po ktheheshin nga dreka. Gruaja i kishte pyetur se nga vinin, ndërsa ata i ishin përgjigjur duke formuar me duar simbolin e shqiponjës dhe duke qeshur.

Ky veprim dyshohet se ka shkaktuar reagimin e gruas, e cila, sipas raportimeve, ka goditur me shuplakë njërin prej gjimnazistëve.

Situata është tensionuar më tej, ndërsa e moshuara ka njoftuar policinë, duke pretenduar se ishte ndier e provokuar nga veprimet e të rinjve.

Pas ndërhyrjes së autoriteteve malazeze, katër gjimnazistët janë shoqëruar në polici, ku kanë qëndruar gjatë natës.

Pranë tyre ka qenë edhe një nga mësueset shoqëruese të ekskursionit, e cila është paraqitur në ambientet e policisë për t’u qëndruar pranë nxënësve.

Të dielën, më 1 nëntor, katër të rinjtë janë lënë të lirë dhe kanë vazhduar udhëtimin e kthimit drejt Durrësit.

Sipas informacioneve të publikuara, nxënësve u është kërkuar të mos përsërisin gjeste të tilla me simbole kombëtare.

Për incidentin janë njoftuar edhe Drejtoria Rajonale e Arsimit Parauniversitar në Durrës dhe Ministria e Arsimit e Shqipërisë.

Deri më tani, nuk është bërë publik një sqarim zyrtar nga autoritetet malazeze lidhur me arsyet dhe bazën ligjore të mbajtjes së nxënësve gjatë natës në polici.