Mbi 200 persona janë ndaluar nga policia gjermane pas përplasjeve të dhunshme që shpërthyen të shtunën në mbrëmje në disa qytete të Gjermanisë, pas protestave të organizuara nga lëvizja e të rinjve “Gen Z Regelt”, përcjell albinfo.ch.
Protestat, të cilat u zhvilluan në më shumë se 30 qytete, mblodhën dhjetëra mijëra të rinj që kërkonin investime më të mëdha në arsim, masa për përballimin e rritjes së kostos së jetesës dhe kundërshtonin planet për rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak.
Megjithëse tubimet gjatë ditës ishin kryesisht paqësore, situata u përshkallëzua gjatë mbrëmjes, kur grupe të veçanta u përfshinë në përleshje me forcat e rendit.
Në Hamburg, policia ndaloi 120 persona pas incidenteve pranë stacionit qendror të autobusëve. Persona të maskuar ngritën barrikada dhe hodhën gurë, shishe e mjete piroteknike në drejtim të policisë.
Si pasojë e përplasjeve, 11 zyrtarë policorë mbetën të lënduar.
Në Berlin, deri në 56 persona u ndaluan përkohësisht gjatë incidenteve në lagjen Mitte, ndërsa 27 policë pësuan lëndime të lehta.
Situatë e tensionuar u regjistrua edhe në Frankfurt, ku persona të maskuar thyen xhamat e dyqaneve dhe plaçkitën disa biznese.
Gjatë trazirave u sulmua edhe një dyqan armësh, nga i cili u vodhën të paktën dy armë zjarri. Policia njoftoi se armët u gjetën dhe u sekuestruan, ndërsa një person i dyshuar u arrestua.
Në Frankfurt u raportuan mbi 30 ndalime të përkohshme dhe dëme të konsiderueshme materiale.
Ndërkohë, në Këln, policia ndaloi të paktën pesë persona pas përplasjeve pranë katedrales së qytetit.
Forcat e rendit përdorën edhe autobotë me ujë për të shpërndarë grupet e dhunshme.
Autoritetet gjermane kanë theksuar se incidentet u shkaktuan nga grupe të veçanta, të cilat u përfshinë në trazira pas përfundimit të protestave kryesore.
Organizatorët e demonstratave janë distancuar nga dhuna, duke theksuar se qëllimi i tubimeve ishte ngritja e shqetësimeve të të rinjve për arsimin, kushtet e jetesës dhe të ardhmen e tyre.
Deri të dielën në mëngjes, situata në qytetet e prekura ishte qetësuar kryesisht, ndërsa policia po vazhdon hetimet për identifikimin e personave përgjegjës dhe vlerësimin e dëmeve.