Skip to content

Po mbahet nata finale e Festivalit të Këngës në RTK “Akordet e Kosovës”

Në natën finale, publiku ka mundësinë t’i dëgjojë sërish të 17 këngët konkurruese të këtij edicioni ndërsa juria do të zgjedhë më të mirët

Me një pikë baleti dhe një mesazh të fuqishëm kushtuar sakrificës së atyre që ndër vite kontribuuan në ruajtjen e arsimit, kulturës, artit dhe identitetit kombëtar, ka nisur nata finale e Festivalit të Këngës në RTK, “Akordet e Kosovës”, raporton rtklive.com.

Performanca artistike ishte një homazh për të gjithë ata që sakrifikuan për të ardhmen, duke ruajtur vlerat kulturore e kombëtare edhe në periudhat më të vështira.

Vepra muzikore u kompozua nga drejtori artistik i festivalit, Florent Boshnjaku, ndërsa koreografia u realizua nga trupa e baletit “Behia’s Dance”. Në këtë pikë artistike kontribuoi edhe violinisti i orkestrës, Festim Fanaj.

Në natën finale, publiku ka mundësinë t’i dëgjojë sërish të 17 këngët konkurruese të këtij edicioni, ndërsa artistët rikthehen në skenë për performancat e tyre për herë të dytë.

Kjo natë do të jetë vendimtare edhe për jurinë, e cila do të vlerësojë interpretimet për të përcaktuar fituesin e festivalit.

Përveç garës muzikore, programi  sjellë edhe mysafirë specialë, interpretime nga këngëtarë të njohur dhe momente nostalgjike, në një spektakël të shoqëruar nga orkestra e festivalit, nën drejtimin artistik të Florent Boshnjakut.

Në këtë mbrëmje juria do të vlerësojë performancat për të përcaktuar fituesit e edicionit të katërt të “Akordeve të Kosovës”.