Mediat zvicerane raportojnë se Arlinda Zekaj, 49 vjeçe, kishte kërkuar disa herë ndihmë nga institucionet e Kosovës para se të gjendej e vdekur në shtëpinë e saj pranë Pejës. Rasti ka nxitur reagime në diasporën kosovare në Zvicër, ku kërkohet hetim i pavarur, përgjegjësi institucionale dhe mbrojtje më efektive për gratë që përballen me dhunë.
Sipas mediumit zviceran 20 Minuten, Arlinda Zekaj kishte denoncuar bashkëshortin, nga i cili ishte ndarë, për kërcënime dhe dhunë. Nëntë ditë para vdekjes, gjykata kishte nxjerrë një urdhër mbrojtjeje, ndërsa tri ditë më herët ajo i kishte dërguar Prokurorisë një paralajmërim për rrezikun që i kanosej.
Pak orë para se të gjendej e vdekur, Zekaj ishte paraqitur sërish në polici. Për rastin është arrestuar kunati i saj, i cili dyshohet për përfshirje në ngjarje dhe prezumohet i pafajshëm deri në një vendim përfundimtar të gjykatës. Autoritetet po hetojnë edhe mundësinë e lëshimeve individuale dhe institucionale.
Rasti ka shkaktuar reagime edhe në Zvicër. Nën hashtagun #JusticeForArlinda, gra me prejardhje kosovare po kërkojnë zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe marrjen e përgjegjësive nëse konstatohen dështime institucionale.
Rinesa, 23-vjeçare nga Lucerni, thekson se dhuna në familje nuk duhet të minimizohet apo të trajtohet si çështje private. Sipas saj, përveç ligjeve efektive, nevojitet edhe edukim për respektin, barazinë dhe parandalimin e dhunës.
Tina, 26-vjeçare nga kantoni i Aargaut, kërkon hapësira të sigurta dhe mbështetje konkrete për gratë në rrezik. Ajo insiston që rasti të hetohet në mënyrë të pavarur dhe që të ketë pasoja nëse evidentohen lëshime.
Ndërkaq, Arbijona, 20-vjeçare nga kantoni i Solothurnit, vlerëson se mbrojtja e grave nuk duhet të shndërrohet në debat partiak. Sipas saj, ligjet dhe mekanizmat mbrojtës duhet të zbatohen në praktikë, ndërsa përgjegjësia institucionale nuk duhet të shmanget.
Reagimet e publikuara nga 20 Minuten e vendosin theksin te nevoja që çdo paralajmërim për dhunë të merret seriozisht, që gratë në rrezik të kenë mbrojtje efektive dhe që çdo dyshim për neglizhencë të hetohet/albinfo.ch/