Skip to content

Haxhiu: Kosova synon Partneritetin për Paqe dhe anëtarësimin në NATO

Në takimin me delegacionin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, kryetarja e Kuvendit theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me aleatët dhe të reformave në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka riafirmuar synimin e vendit për integrim euroatlantik dhe anëtarësim në NATO, gjatë takimit me delegacionin e Asamblesë Parlamentare të Aleancës, të udhëhequr nga nënkryetari Alberto Losacco dhe kryetari i Komisionit Politik, Sverre Myrli, përcjell albinfo.ch.

Haxhiu ka theksuar se NATO-ja zë një vend të veçantë në historinë e Kosovës, veçanërisht për shkak të ndërhyrjes së Aleancës në vitin 1999, e cila kontribuoi në përfundimin e luftës dhe ndaljen e dhunës e të spastrimit etnik nga Serbia.

Ajo ka nënvizuar se mirënjohja e Kosovës ndaj aleatëve mbetet e palëkundur, ndërsa vendi synon të dëshmojë gatishmërinë për të marrë përgjegjësi më të mëdha në funksion të paqes dhe sigurisë së përbashkët.

Bashkëpunim parlamentar dhe forcim i sigurisë

Gjatë takimit, palët kanë diskutuar për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet komisioneve parlamentare, shkëmbimin e përvojave dhe forcimin e mbikëqyrjes parlamentare në sektorin e mbrojtjes. Në fokus ka qenë edhe siguria e infrastrukturës kritike.

Haxhiu ka rikujtuar se që nga viti 2024, Kuvendi i Kosovës ka statusin e anëtarit të asociuar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, duke e cilësuar këtë si një mundësi për zgjerimin e bashkëpunimit me institucionet e vendeve anëtare.

Ajo ka theksuar se avancimi drejt Partneritetit për Paqe dhe, më tej, anëtarësimi në NATO, mbeten objektiva të Kosovës në rrugën e integrimit euroatlantik.

Sipas Haxhiut, përparimi drejt këtyre synimeve kërkon reforma të vazhdueshme dhe mbështetjen e aleatëve ndërkombëtarë. Ajo ka shprehur besimin se takimi me delegacionin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s do të pasohet nga bashkëpunim konkret dhe i vazhdueshëm./Albinfo.ch