Ambasada Gjermane në Kosovë ka dënuar vrasjen e Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, duke bërë thirrje për forcimin e masave parandaluese, mbrojtjen e grave në rrezik dhe zbatimin e mekanizmave ekzistues kundër dhunës me bazë gjinore.
“Çdo grua ka të drejtë të jetojë e lirë nga frika dhe dhuna, dhe kjo e drejtë duhet të garantohet përmes përkushtimit të përbashkët dhe veprimeve konkrete”, thuhet në deklaratën e Ambasadës Gjermane.
“Jemi thellësisht të pikëlluar nga vrasja tragjike e Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës dhe u shprehim ngushëllimet tona të sinqerta familjes dhe më të dashurve të saj”, thuhet më tej në deklaratë.
Sipas Ambasadës Gjermane, kjo tragjedi e dhimbshme shërben si një kujtesë e fortë se femicidi nuk është një incident i izoluar, por mbetet një sfidë serioze shoqërore, transmeton albinfo.ch.
“Kjo tragjedi e dhimbshme shërben si një kujtesë e fortë se femicidi nuk është një incident i izoluar, por mbetet një sfidë serioze shoqërore, si forma më ekstreme e dhunës ndaj grave, që kërkon një reagim të vazhdueshëm dhe të koordinuar”, thuhet në deklaratë.
Ambasada Gjermane ka theksuar se garantimi i sigurisë dhe mbrojtjes së grave në rrezik duhet të mbetet një prioritet i përbashkët, i mbështetur nga masa efektive parandaluese, veprime institucionale në kohë dhe shërbime mbështetëse të qasshme.
Në deklaratë rikujtohet se Kosova është palë e Konventës së Stambollit të Këshillit të Evropës për parandalimin dhe luftimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje.
“U bëjmë thirrje të gjitha palëve përkatëse që të vazhdojnë t’i forcojnë përpjekjet për parandalimin e dhunës me bazë gjinore, zbatimin e mekanizmave ekzistues të mbrojtjes dhe nxitjen e një kulture në të cilën dhuna as nuk tolerohet dhe as nuk injorohet”, përfundon deklarata e Ambasadës Gjermane.