Me mesazhin “Shteti e vrau Arlindën”, organizata QIKA ka protestuar sot para Qeverisë së Kosovës pas vrasjes së Arlinda Zekajt, duke kërkuar hetim dhe përgjegjësi institucionale për dështimin në mbrojtjen e saj, transmeton albinfo.ch.
Aktivistet hodhën ngjyrë të kuqe në shkallët e ndërtesës së Qeverisë, duke e cilësuar atë si simbol të jetëve të grave të humbura dhe të përgjegjësisë që, sipas organizatës, duhet ta mbajnë institucionet kur mekanizmat e mbrojtjes dështojnë.
QIKA ka theksuar se Arlinda Zekaj kishte kërkuar mbrojtje nga shteti, ishte drejtuar institucioneve, kishte ndjekur procedurat ligjore dhe kishte siguruar urdhër mbrojtjeje. Sipas organizatës, rreziku që i kanosej ishte paralajmëruar dhe dokumentuar.
Megjithatë, pavarësisht këtyre hapave, ajo u vra.
Organizata ka ngritur pikëpyetje mbi efektivitetin e mekanizmave ekzistues të mbrojtjes, duke kërkuar përgjigje se çfarë ndodh kur një grua denoncon dhunën, dokumenton kërcënimet, kërkon mbrojtje ligjore dhe u drejtohet institucioneve, por sërish mbetet e ekspozuar ndaj rrezikut.
Sipas QIKA-s, rasti i Arlinda Zekajt kërkon hetim të plotë të të gjitha hallkave institucionale që kanë pasur përgjegjësi në trajtimin e saj.
Organizata kërkon që të shqyrtohen jo vetëm veprimet, por edhe mosveprimet e institucioneve dhe zyrtarëve përgjegjës, për të përcaktuar nëse ka pasur dështime që kanë ndikuar në pamundësinë për ta mbrojtur atë.
QIKA ka theksuar se përgjegjësia nuk duhet të humbasë mes procedurave, kompetencave apo bartjes së përgjegjësisë nga një institucion te tjetri.
“Ngjyra e kuqe që e hodhëm sot në shkallët e Qeverisë është akuzë. Është kujtesë e jetëve të humbura dhe e përgjegjësisë që shteti duhet të mbajë”, thuhet në reagimin e organizatës.
Me sloganin “Shteti e vrau Arlindën”, QIKA e ka drejtuar kritikën te funksionimi i sistemit institucional të mbrojtjes, duke kërkuar llogaridhënie për mënyrën se si është trajtuar rasti para vrasjes.
Rasti i Arlinda Zekajt ka rikthyer në vëmendje një çështje thelbësore: jo vetëm nëse gratë denoncojnë dhunën, por nëse institucionet reagojnë me kohë dhe nëse masat e mbrojtjes arrijnë realisht të parandalojnë përshkallëzimin e dhunës.
Për albinfo.ch
Luljeta Ademi