Skip to content

Asambleistja Arta G. Selimi: Barazia gjinore, pjesë e përfaqësimit politik në Luginën e Preshevës

Pesë gra dhe pesë burra përbënin listën zgjedhore të “Koalicionit Shqiptar” në zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit. Pas zgjedhjeve, ku sipas rezultateve preliminare koalicioni ka siguruar dy mandate, përbërja e listës sjell në fokus pjesëmarrjen e grave dhe përfaqësimin e barabartë gjinor në listat zgjedhore në Luginën e Preshevës

Arta G. Selimi, asambleiste në Kuvendin Komunal të Preshevës dhe specialiste e gjinekologjisë dhe obstetrikës në Shtëpinë e Shëndetit në Preshevë, e konsideron përfaqësimin e barabartë gjinor të nevojshëm për një pjesëmarrje më të plotë në jetën publike dhe politike të Luginës.

“Sa është domosdoshmëri me bazë ligjore, aq është edhe nevojë për të bërë përfaqësim të denjë, sigurim të mbështetjes dhe mundësisë për të dhënë kontribut të përbashkët për të ardhmen dhe më të mirën e Luginës”, thotë Selimi për albinfo.ch.

Sipas saj, prania e grave në politikën lokale tashmë është më e dukshme dhe shtrihet në procese të ndryshme politike e institucionale.

“Fakti që në krye të Komunës kemi një grua flet mjaftueshëm për këtë. Jemi gjithandej të përfshira, duke dhënë kontributin tonë përkrah burrave, në procese kyçe dhe mjaft të rëndësishme të brendshme, por edhe në politikat e jashtme”, shprehet ajo.

Selimi thekson se përfshirja e grave në lista duhet të mbështetet në angazhimin dhe përvojën e tyre në jetën publike.

“Ato nuk janë vetëm numra dhe as marioneta. Janë faktor vendimmarrës që është konsoliduar ndër vite, që përmes veprimtarisë shoqërore ka dhënë kontribut dhe ka arritur besimin dhe mbështetjen për t’u cilësuar si prijëse të denja”, thotë ajo.

Një proces që ka kërkuar kohë

Selimi thotë se rritja e pjesëmarrjes së grave ka ardhur pas një periudhe të gjatë përpjekjesh, ndërsa pengesat vazhdojnë të jenë të pranishme.

“Është dashur kohë dhe përpjekje të mëdha për të arritur këtu ku jemi dhe konsideroj se përpjekja akoma nuk ka sosur.”

Sfidat, sipas saj, nisin që nga organizimi i jetës familjare.

“Një politikane është para së gjithash grua, nënë e pjesëtare e familjes dhe fillimisht i nevojitet një balancim i mirë në mes të rolit të saj në familje dhe atij në politikë.”

Ajo përmend edhe ndikimin që ka pasur mentaliteti patriarkal në perceptimin e grave që marrin role drejtuese.

“Shoqëria jonë ka qenë dhe është akoma patriarkale dhe lidershipi i gruas është parë me mosbesim dhe është paragjykuar. Ka pasur pak mbështetje politike dhe presione të ndryshme.”

Për Selimin, përparimi është lidhur edhe me bashkëpunimin mes grave, iniciativat e përbashkëta dhe rrjetëzimin me platforma të ngjashme në rajon.

“Janë nevojitur përpjekje të mëdha, bashkëpunim dhe iniciativa të përbashkëta për të thyer mentalitetin tradicional dhe paragjykimet, si dhe për të siguruar mbështetje politike dhe zë në proceset vendimmarrëse strategjike.”

Modeli 5 gra–5 burra

Lista e “Koalicionit Shqiptar” kishte dhjetë kandidatë – pesë gra dhe pesë burra – nga Presheva, Bujanoci, Medvegja dhe Pazari i Ri.

E pyetur nëse një përbërje e tillë duhet të ndiqet edhe në të ardhmen, Selimi e konsideron këtë të domosdoshme.

“Është domosdoshmëri. Nuk duhet diskutuar më një gjë e këtillë nëse synohen politika gjithëpërfshirëse që pretendojnë një shoqëri demokratike, politika sociale cilësore dhe gjithëpërfshirëse, si dhe komunitete të shëndetshme dhe të fuqishme.”

Për gratë dhe vajzat që duan të angazhohen më shumë në politikë, ajo veçon guximin, bashkëpunimin dhe përgatitjen profesionale.

“Guxim për ballafaqim, inkurajim e mbështetje për njëra-tjetrën, bashkëpunim për iniciativa të përbashkëta duke filluar nga ai brendapartiak, pjesëmarrje aktive në mentorime, edukime dhe platforma rajonale, por edhe ndërkombëtare.”

Sipas Selimit, një përfshirje më e strukturuar e grave krijon më shumë hapësirë për pjesëmarrjen e tyre në proceset politike dhe për një përfaqësim që mbështetet në përvojë, përgjegjësi dhe angazhim publik.

Lista e 25 tetorit solli një raport të barabartë mes grave dhe burrave në kandidim. Për Luginën e Preshevës, kjo përvojë mund të shërbejë si pikë reference për mënyrën se si do të ndërtohen listat zgjedhore edhe në proceset e ardhshme.