Skip to content

Protesta në gjithë Francën, 135 të arrestuar dhe ndërhyrje me gaz lotsjellës

Rreth 70 mijë policë dhe xhandarë janë angazhuar për të garantuar sigurinë gjatë demonstratave në Francë. Autoritetet synojnë të parandalojnë përsëritjen e dhunës dhe plaçkitjeve që shoqëruan protestat e fundjavës së kaluar.

Franca po përballet sot, më 24 tetor, me protesta në disa qytete të vendit, ndërsa autoritetet kanë shtuar masat e sigurisë për të parandaluar incidentet dhe përplasjet mes demonstruesve dhe forcave të rendit, përcjell albinfo.ch.

Rreth 70 mijë policë dhe xhandarë janë mobilizuar në mbarë vendin, rreth 10 mijë më shumë sesa gjatë demonstratave të 17 tetorit, të cilat u shoqëruan me incidente të dhunshme dhe dëmtime të pronës.

Ministri i Brendshëm francez, Laurent Nuñez, ka bërë të ditur se deri në orët e para të pasdites janë arrestuar 135 persona. Një pjesë e arrestimeve janë kryer gjatë kontrolleve parandaluese, ku janë gjetur sende që mund të përdoreshin si armë.

Në Paris, marshimi kryesor po zhvillohet nën masa të shtuara sigurie, ndërsa autoritetet kanë vendosur kufizime në qarkullim dhe masa shtesë për mbrojtjen e ndërtesave dhe bizneseve.

Më shumë se 20 stacione të metrosë janë mbyllur, ndërsa disa institucione të njohura kulturore, përfshirë Muzeun e Luvrit dhe Musée d’Orsay, kanë pezulluar aktivitetin për shkak të situatës së sigurisë.

Ndërkohë, në Lion janë regjistruar tensione mes demonstruesve dhe forcave të rendit. Policia ka përdorur gaz lotsjellës për të shpërndarë një pjesë të protestuesve.

Organizatorët e protestave kundërshtojnë kufizimet e vendosura nga autoritetet për itineraret e marshimeve, duke i cilësuar ato pengesë për ushtrimin e së drejtës së protestës.

Nga ana tjetër, autoritetet franceze argumentojnë se masat janë të nevojshme për të parandaluar dëmtimin e pronës publike dhe private, pas incidenteve që shoqëruan demonstratat e mëparshme.

Protesta po zhvillohen edhe në qytete të tjera franceze. Në Orléans, kundërshtarë të partisë së ekstremit të djathtë, Rassemblement National, janë mbledhur për të protestuar gjatë kongresit të kësaj force politike.

Vala e demonstratave është nxitur nga pakënaqësitë lidhur me rritjen e çmimeve, kushtet e jetesës, financimin e arsimit dhe gjendjen e shërbimeve publike.

Autoritetet franceze po e monitorojnë situatën, ndërsa demonstratat pritet të vazhdojnë gjatë ditës./Albinfo.ch