Skip to content

Franca kërkon që përgjegjësit për sulmin në Banjskë të dalin para drejtësisë

Në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Parisi i bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë të rifillojnë dialogun dhe të zbatojnë marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit, ndërsa shprehu shqetësim për mosarrestimin e përgjegjësve për sulmin në Banjskë dhe kërkoi respektimin e obligimeve ndërkombëtare të Kosovës ndaj Dhomave të Specializuara.

Franca ka kërkuar që përgjegjësit për sulmin e armatosur në Banjskë të sillen para drejtësisë, duke u bërë njëkohësisht thirrje Kosovës dhe Serbisë që të vazhdojnë dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe të zbatojnë plotësisht marrëveshjet për normalizimin e marrëdhënieve.

Përfaqësuesi francez në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Jay Dharmadhikari, deklaroi se të dyja vendet kanë një të ardhme evropiane, por arritja e këtij synimi kërkon përpjekje të vazhdueshme për normalizimin e marrëdhënieve.

Ai theksoi rëndësinë e dialogut të lehtësuar nga BE-ja dhe Përfaqësuesi i saj i Posaçëm, Peter Sørensen, me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë.

Franca u bëri thirrje të dyja palëve që të rikthejnë dinamikën e dialogut, duke përmendur marrëveshjen e 14 marsit për zbatimin gradual të Ligjit për të Huajt. Sipas përfaqësuesit francez, objektivi kryesor mbetet zbatimi i plotë i marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit, çka kërkon angazhim të vendosur nga të dyja palët.

Gjatë fjalës së tij, Dharmadhikari përshëndeti edhe zgjedhjen e Justina Shiroka Pulës si presidente të Kosovës, duke vlerësuar se kjo duhet të kontribuojë në funksionimin e institucioneve dhe në avancimin e reformave të nevojshme.

Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e garantimit të pjesëmarrjes aktive të serbëve në institucionet e Kosovës, si në nivelin lokal, ashtu edhe në sistemin e drejtësisë.

Një pjesë e deklaratës së Francës iu kushtua Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë. Dharmadhikari rikonfirmoi mbështetjen e vendit të tij për drejtësinë ndërkombëtare, duke theksuar rolin e saj në përcaktimin e përgjegjësisë për krimet e rënda dhe në drejtësinë për viktimat.

Ai vlerësoi se ligji i miratuar nga Kuvendi i Kosovës, i cili ndryshon legjislacionin për Dhomat e Specializuara, nuk është në përputhje me obligimet ndërkombëtare të Kosovës.

“Franca i bën thirrje Kosovës t’i respektojë plotësisht obligimet e saj ndërkombëtare me qëllim që të garantojë pavarësinë, paanshmërinë dhe integritetin gjyqësor të Dhomave të Specializuara”, deklaroi përfaqësuesi francez.

Dharmadhikari u ndal veçanërisht te sulmi në Banjskë, i kryer më 24 shtator 2023 në veri të Kosovës, duke kërkuar që personat përgjegjës të përballen me drejtësinë.

“Pothuajse tri vite pas ngjarjeve, është e papranueshme që përgjegjësit për sulmin në Banjskë të mbeten të lirë. Kryesit e këtyre sulmeve duhet të sillen para drejtësisë dhe të kërkohet llogari nga ata”, theksoi ai.

Në përfundim, Franca rikonfirmoi mbështetjen për misionet ndërkombëtare në Kosovë, përfshirë UNMIK-un, KFOR-in dhe EULEX-in, duke nënvizuar rëndësinë e koordinimit ndërmjet tyre dhe respektimit të mandateve përkatëse.

Përfaqësuesi francez rikujtoi gjithashtu se mandati i UNMIK-ut lidhet me procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.