Një sulm kibernetik ndaj një kompanie që ofron shërbime për fondet pensionale në Zvicër ka ekspozuar të dhënat e mbi 100 mijë punonjësve aktualë dhe ish-punonjësve të administratës federale. Mes personave potencialisht të prekur janë edhe ish-anëtarë të Këshillit Federal, agjentë sekretë dhe ushtarë elitarë.
Sipas gazetës zvicerane Tages-Anzeiger, pas sulmit të ndodhur në fund të shtatorit dyshohet se qëndron grupi i hakerëve Akira, i cili ka vjedhur rreth 100 gigabajt të dhëna sensitive.
Informacionet e komprometuara mund të përfshijnë të dhëna personale, adresa, numra telefoni, informacione bankare dhe të dhëna pensionale. Dyshohet se janë prekur edhe punonjës të Shërbimit Federal të Inteligjencës që veprojnë me identitete të mbuluara, çka ka ngritur shqetësime serioze për sigurinë e tyre.
Si pasojë, Shërbimi Federal i Inteligjencës po përmbahet përkohësisht nga operacionet jashtë vendit, ndërsa autoritetet kanë shtuar masat e sigurisë për anëtarët e qeverisë dhe po krijojnë një grup të posaçëm pune.
Grupi Akira njihet për sulmet me programe keqdashëse (ransomware) dhe zhvatjen e dyfishtë: fillimisht vjedh të dhënat dhe më pas kërcënon me publikimin e tyre nëse nuk paguhet shpërblimi. Deri më tani, të dhënat e vjedhura në këtë rast nuk janë shfaqur në internetin e errët.
Autoritetet zvicerane kanë paralajmëruar më herët për aktivitetin e grupit, i cili dyshohet se ka sulmuar rreth 200 kompani. Ndërkohë, Prokuroria Federale po zhvillon procedura penale ndaj tij që nga prilli i vitit 2024.