Skip to content

Rama vendos karrige me mbishkrimin “Dialog” para Kryeministrisë, protestuesit i rrëzojnë

Protestat e të rinjve në Shqipëri kanë hyrë në ditën e tetë. Ndërsa Edi Rama thotë se është i gatshëm për dialog pa kushte, mësimdhënësit janë rreshtuar në mbështetje të studentëve dhe paralajmërojnë bojkot të universiteteve.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka vendosur karrige me mbishkrimin “Dialog” para godinës së Kryeministrisë, në një përpjekje simbolike për të përcjellë mesazhin se është i gatshëm të bisedojë me protestuesit. Megjithatë, situata është tensionuar, pasi protestuesit i kanë rrëzuar dhe thyer karriget, përcjell albinfo.ch.

Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Rama ka deklaruar se është i gatshëm të zhvillojë dialog pa kushte, në çdo vend dhe në çdo kohë, së bashku me përfaqësues të qeverisë.

“Unë jam në dispozicion me Qeverinë. Të vetmit që nuk janë të mirëpritur janë ata që bëjnë dhunë dhe nuk distancohen nga dhuna”, ka deklaruar kreu i qeverisë shqiptare.

Rama e kishte përsëritur edhe më herët ftesën për dialog, duke theksuar se është i gatshëm të dëgjojë kërkesat e protestuesve paqësorë, por nuk pranon të ulet në tryezë me persona që përfshihen në akte dhune. Ai ka paralajmëruar masa ndëshkuese ndaj atyre që kryejnë veprime të tilla.

Ndërkohë, protestave u janë bashkuar edhe mësimdhënës, të cilët kanë shprehur mbështetjen e tyre për studentët dhe kanë kërkuar dorëheqjen e kryeministrit.

Ata kanë paralajmëruar bojkot të mësimit në universitete, duke bërë të ditur se do të mblidhen çdo ditë në orën 10:00 para korpusit universitar. Sipas tyre, do të mbështesin çdo vendim të studentëve, përfshirë edhe mundësinë e dialogut me kryeministrin, nëse ata vendosin ta pranojnë një takim të tillë.

Përplasjet rreth ftesës për dialog dhe kërkesave të protestuesve vijnë në një kohë kur demonstratat në Shqipëri po vazhdojnë prej tetë ditësh, ndërsa mbetet për t’u parë nëse palët do të arrijnë të krijojnë kushte për bisedime. /Albinfo.ch