Fëmijët nën moshën dyvjeçare në Francë kalojnë mesatarisht 53 minuta në ditë para ekraneve, sipas një raporti të institutit kërkimor Terra Nova. Ndërkohë, në Zvicër, kjo shifër është rreth 20 minuta, sipas një studimi të Shkollës së Lartë të Arteve dhe Shkencave të Aplikuara në Lozanë (HES-SO).
Sipas Florent de Bodman, bashkautor i raportit, ndër arsyet që i shtyjnë prindërit t’u japin fëmijëve pajisje elektronike janë izolimi social, familjet me një prind dhe hapësirat e kufizuara të banimit.
Përdorimi i tepërt i ekraneve mund të ndikojë në zhvillimin e fëmijëve, veçanërisht në gjumë dhe në zhvillimin e të folurit. Shikimi i videove para gjumit mund të vështirësojë fjetjen dhe të ndikojë në aftësinë e fëmijëve për të mësuar ditën pasuese.
Eksperti thekson gjithashtu se fëmijët e vegjël nuk mund të mësojnë në mënyrë të pavarur vetëm përmes ekraneve, pasi shpesh imitojnë atë që shohin pa e kuptuar plotësisht.
Problemi, sipas tij, nuk lidhet vetëm me kohën që fëmijët kalojnë para ekraneve, por edhe me përdorimin e telefonave nga vetë prindërit, gjë që mund të kufizojë komunikimin dhe ndërveprimin me fëmijët.
Si alternativa, rekomandohen lojërat, aktivitetet në natyrë, librat me tregime dhe përfshirja e fëmijëve në detyrat e përditshme, si përgatitja e ushqimit.
Ekspertët vënë në pah rëndësinë e kufizimit të kohës para ekraneve dhe të krijimit të më shumë mundësive për lojë, komunikim dhe ndërveprim të drejtpërdrejtë me fëmijët.