Skip to content

Tekste të reja për nxënësit shqiptarë në Danimarkë, vazhdon misioni për ruajtjen e gjuhës shqipe

Ambasada e Shqipërisë në Danimarkë dhe Konsullata e Kosovës kanë zhvilluar takime me nxënës, mësues dhe prindër në Ballerup, ku janë dorëzuar tekste të reja për mësimin e gjuhës dhe kulturës shqiptare.

Ruajtja e gjuhës shqipe dhe përcjellja e saj te brezat e rinj mbetet një mision i rëndësishëm për komunitetin shqiptar në Danimarkë, transmeton albinfo.ch.

Në kuadër të këtij angazhimi, Ambasada e Shqipërisë në Danimarkë, së bashku me Konsullatën e Kosovës, kanë zhvilluar një takim me nxënësit, mësuesit dhe prindërit në shkollën Ballerup Parkskolen, si dhe me klasën shqipe të Shoqatës Shtëpia e Kulturës Shqiptare.

Gjatë takimit janë dorëzuar tekste të reja për mësimin e gjuhës dhe kulturës shqiptare, me synimin për të mbështetur procesin mësimor dhe për të ndihmuar fëmijët shqiptarë në diasporë që të ruajnë lidhjen me gjuhën amtare dhe rrënjët e tyre kulturore.

Mirënjohje e veçantë u është shprehur mësuesve Mirditë Limani Ademi, Leonora Aliu dhe Sabri Ibishi, si dhe aktivistit Nevzat Kjamilji, për angazhimin dhe përkushtimin e tyre në ruajtjen dhe zhvillimin e mësimit të shqipes.

Mbështetja e prindërve u vlerësua gjithashtu si një pjesë thelbësore e këtij misioni, pasi bashkëpunimi mes familjes, mësuesve dhe institucioneve ndihmon në përcjelljen e gjuhës, kulturës dhe traditave shqiptare te brezat e rinj në mërgatë.

“Përmes rrënjëve lartësohemi” mbetet mesazhi që përcjell rëndësinë e ruajtjes së identitetit kombëtar dhe të gjuhës shqipe, kudo që jetojnë shqiptarët./Albinfo.ch.