Çmimet e karburanteve në Zvicër janë rritur sërish pas një qetësimi të shkurtër. Si benzina, ashtu edhe nafta, janë shtrenjtuar së fundmi me pesë cent për litër, sipas të dhënave më të fundit nga Touring Club Switzerland (TCS).
Kështu, çmimi mesatar i një litri benzinë pa plumb 95 është rritur me 2,4% krahasuar me javën e kaluar, duke arritur në 2,16 CHF. Benzina pa plumb 98 tani kushton 2,27 CHF për litër, që përbën një rritje prej 2,3%.
Edhe nafta është shtrenjtuar sërish. Çmimi mesatar u rrit me 2,1% në 2,45 CHF për litër. Kjo do të thotë se tani është vetëm një cent nën nivelin më të lartë vjetor prej 2,46 CHF, i cili u regjistrua në mesin e shtatorit.
Pas rritjeve të theksuara të çmimeve në shtator, çmimet e karburanteve kishin shënuar një ulje të lehtë për një periudhë të shkurtër, shkruan swissinfo. Luhatjet e çmimeve i atribuohen, ndër të tjera, situatës së tensionuar në tregjet ndërkombëtare të karburanteve, transmeton albinfo.ch.
Kësaj i shtohen edhe problemet e transportit në Zvicër, pasi nivelet e ulëta të ujit në lumin Rin po i bëjnë importet më të shtrenjta.
Ndërkohë, të premten, çmimet në tregjet ndërkombëtare të naftës pësuan një rënie të lehtë. Një fuçi naftë bruto e llojit “Brent” nga Deti i Veriut kushtonte rreth 105 dollarë në mëngjes; një shifër kjo ende dukshëm më e lartë se ajo e regjistruar para fillimit të luftës në fund të shkurtit, kur çmimi ishte rreth 72 dollarë.
Megjithatë, ndryshimet në tregun e naftës zakonisht kërkojnë pak kohë për t’u pasqyruar në pikat e shitjes së karburanteve në Zvicër.