Rreth 30 prodhues dhe biznese shqiptare prezantuan produktet dhe specialitetet tradicionale në aktivitetin “Albania Taste Market 2026”, i cili u mbajt në Shtëpinë e Industrisë Bavareze në Mynih, në kuadër të Albanian’s European Week 2026.
Aktiviteti u organizua nga Shoqata e Ekonomisë Bavareze (vbw – Die Bayerische Wirtschaft), në bashkëpunim me Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Shqipërisë në Mynih dhe restorantin Conti, me synim promovimin e produkteve shqiptare dhe krijimin e mundësive të reja për bashkëpunim ekonomik mes Shqipërisë dhe Bavarisë.
Gjatë aktivitetit, prodhuesit shqiptarë prezantuan një gamë të gjerë produktesh vendase, përfshirë verën, vajin e ullirit, jufkat, trahananë dhe specialitete të tjera tradicionale. Përmes një mini-panairi dhe degustimeve, të ftuarit patën mundësinë të njiheshin nga afër me cilësinë, origjinën dhe veçoritë e produkteve shqiptare.
Në aktivitet morën pjesë përfaqësues të bizneseve shqiptare dhe bavareze, importues, distributorë, blerës, përfaqësues të tregtisë me pakicë, si dhe profesionistë nga sektorët e restoranteve, hoteleve dhe gastronomisë. Takimet synuan krijimin e kontakteve të drejtpërdrejta dhe identifikimin e mundësive të reja të bashkëpunimit biznes me biznes (B2B), duke mbështetur promovimin e prodhuesve shqiptarë në tregun gjerman.
Një tjetër element i rëndësishëm i mbrëmjes ishte gastronomia shqiptare, e cila u prezantua përmes një menuje të përbashkët nga kuzhinierë shqiptarë dhe bavarezë në restorantin Conti. Shefat e kuzhinës nga Fustanella Farm dhe Rosa e Tymosur, së bashku me kuzhinierin bavarez, sollën një ndërthurje të produkteve lokale, recetave tradicionale dhe teknikave bashkëkohore të gastronomisë.
Përmes konceptit “Etno Ushqim Shqiptar”, u prezantuan produkte dhe tradita kulinare nga rajone të ndryshme të Shqipërisë, nga Puka dhe Korça, te Dibra, Kelmendi, Shëngjergji, Leskoviku dhe Berati. Kjo qasje synoi të evidentojë pasurinë gastronomike të vendit dhe potencialin e produkteve vendase për të gjetur hapësirë në tregjet ndërkombëtare.
Përveç gastronomisë dhe biznesit, aktiviteti përfshiu edhe letërsinë dhe artin pamor. Aktori Nik Xhelilaj interpretoi poezi të Dritëro Agollit, të përkthyera nga Loreta Schilock, e cila prezantoi gjithashtu veprimtarinë e shtëpisë botuese Schilock. Ndërkohë, artistja e re shqiptare Ina Merlika ekspozoi disa nga krijimet e saj artistike.
Kështu, “Albania Taste Market 2026” u shndërrua në një platformë promovimi që ndërthuri produktet tradicionale, kulturën, artin dhe sipërmarrjen shqiptare, duke synuar forcimin e lidhjeve ekonomike dhe kulturore mes Shqipërisë dhe Bavarisë.
Organizatorët shprehën mirënjohje për Volker Leinweber dhe ekipin e tij, Weingarten dhe stafin e restorantit Conti, Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Shqipërisë në Mynih, si dhe Donatela Sadriajn, për kontributin e dhënë në realizimin e aktivitetit.
Përmes kësaj nisme, produktet dhe traditat shqiptare u prezantuan para përfaqësuesve të biznesit dhe publikut në Gjermani, ndërsa u krijua një mundësi shtesë për promovimin e prodhimit vendas dhe zhvillimin e partneriteteve të reja ndërmjet bizneseve shqiptare dhe bavareze.