Skip to content

Begaj reagon pas tensioneve mes studentëve dhe policisë

Kreu i shtetit thekson se e drejta për protestë paqësore është një nga themelet e demokracisë, ndërsa nënvizon se dhuna nuk mund të përdoret si mjet për të shprehur pakënaqësinë

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, ka reaguar pas përshkallëzimit të tensioneve gjatë protestës së studentëve në Tiranë, duke u bërë thirrje të gjitha palëve të tregojnë përgjegjësi dhe vetëpërmbajtje.

Përmes një reagimi në Facebook, kreu i shtetit thekson se e drejta për protestë paqësore është një nga themelet e demokracisë, ndërsa nënvizon se dhuna nuk mund të përdoret si mjet për të shprehur pakënaqësinë, transmeton albinfo.ch.

“Presidenti i Republikës ndjek me shqetësim përshkallëzimin e tensioneve gjatë protestave dhe u bën thirrje të gjitha palëve të veprojnë me përgjegjësi e vetëpërmbajtje. E drejta për protestë paqësore është themel i demokracisë dhe detyrim i shtetit për ta garantuar. Por dhuna nuk mund të jetë mjet i shprehjes së pakënaqësisë, as përdorimi i forcës nga policia nuk duhet të dalë jashtë kufijve të ligjit dhe proporcionalitetit.

Në këtë moment, vendit i duhet më shumë përgjegjësi. Kushtetuta dhe ligji duhet të mbeten kufiri i të gjithëve, pa përjashtim. Mbetem i gatshëm të dëgjoj te gjitha shqetësimet. Zyra ime është dhe do të mbetet e hapur për çdo të ri e çdo qytetar që dëshiron të shprehet, të dialogojë dhe të kontribuojë për të mirën e vendit”, u shpreh Presidenti i Republikës nëpërmjet facebook-ut.