Skip to content

Rreziku nga Inteligjenca Artificiale

Paralajmërimi vjen nga një studim i publikuar në revistën shkencore The Lancet, i cili identifikon 17 kërcënime madhore për shëndetin dhe mbijetesën e njerëzimit gjatë 75 viteve të ardhshme

Njerëzimi mund të përballet me rrezikun e zhdukjes deri në fund të këtij shekulli, si pasojë e përdorimit keqdashës të inteligjencës artificiale ose një konflikti bërthamor.

Paralajmërimi vjen nga një studim i publikuar në revistën shkencore The Lancet, i cili identifikon 17 kërcënime madhore për shëndetin dhe mbijetesën e njerëzimit gjatë 75 viteve të ardhshme.

Sipas studimit, përveç inteligjencës artificiale dhe armëve bërthamore, ndër rreziqet kryesore përfshihen edhe kriza klimatike, pandemitë, ndotja e ajrit, rezistenca antimikrobike dhe kequshqyerja e fëmijëve. Lista përfshin gjithashtu konfliktet konvencionale, reduktimin e ndihmës ndërkombëtare, konsumin e tepërt të alkoolit, hipertensionin, pabarazinë e të ardhurave, nivelin e ulët arsimor, obezitetin, problemet e shëndetit mendor, duhanpirjen dhe plakjen e pashëndetshme, shkruan TCH, transmeton albinfo.ch.

Ekspertët theksojnë se këto kërcënime nuk mund të trajtohen të izoluara, pasi janë të ndërlidhura dhe mund të përforcojnë pasojat e njëri-tjetrit. Për këtë arsye, adresimi i tyre kërkon masa të koordinuara dhe vendimmarrje të përgjegjshme në nivel ndërkombëtar.

“Vendimet që marrin udhëheqësit sot do të formësojnë shëndetin dhe mirëqenien e brezit të ardhshëm”, deklaroi profesori Christopher Murray, bashkëkryetar i komitetit të The Lancet që kreu studimin dhe drejtor i Institutit për Metrikat dhe Vlerësimin e Shëndetit në Universitetin e Uashingtonit.

Për të përcaktuar rreziqet, studiuesit analizuan tendencat aktuale dhe vlerësuan humbjen e viteve të jetës në gjendje të mirë shëndetësore, si pasojë e sëmundjeve, paaftësisë ose vdekjes së parakohshme që mund t’i atribuohet secilit kërcënim.

Megjithëse probabiliteti i disa prej skenarëve më ekstremë mbetet i ulët, studimi paralajmëron se pasojat e tyre, nëse ndodhin, mund të jenë katastrofike, deri në atë pikë sa të përbëjnë një kërcënim ekzistencial për njerëzimin.

Përfundimet nënvizojnë rëndësinë e veprimit të hershëm përballë rreziqeve globale, duke theksuar se politikat e ndërmarra sot do të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në sigurinë, shëndetin dhe cilësinë e jetës së brezave të ardhshëm.