Skip to content

Baleti i Kosovës sjell në Vjenë shfaqjen “HOPE” në mbështetje të luftës kundër kancerit të gjirit

Përmes koreografisë së Sead Vuniqit, shfaqja synon të përcjellë mesazhe ndërgjegjësimi, solidariteti dhe mbështetjeje për personat që përballen me sëmundjen.

Baleti Kombëtar i Kosovës do të prezantojë shfaqjen “HOPE” në Vjenë, më 16 tetor 2026, në një aktivitet që i kushtohet ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit dhe rëndësisë së mbështetjes për personat e prekur nga kjo sëmundje, transmeton albinfo.ch.

Shfaqja, me koreografi të Sead Vuniqit, organizohet në bashkëpunim me Action for Health Kosovo dhe Sport und Kulturverein – KA, organizatë me bazë në Vjenë.

Përmes artit dhe gjuhës së lëvizjes, “HOPE” synon të kontribuojë në përcjelljen e mesazheve për luftimin e stigmatizimit që lidhet me kancerin e gjirit, si dhe për forcimin e solidaritetit me personat që përballen me këtë sfidë shëndetësore.

Prezantimi zhvillohet në kuadër të muajit të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, duke e vënë artin në shërbim të një kauze që kërkon vëmendje, përkrahje dhe ndërgjegjësim shoqëror.

Shfaqja do të mbahet më 16 tetor 2026, në hapësirën kulturore Brunnenpassage në Vjenë, Austri./Albinfo.ch