Skip to content

Të paktën 139 të vdekur dhe dhjetëra të zhdukur, pasi një varkë u përmbys pranë Xhibutit

Të paktën 139 migrantë, kanë vdekur dhe dhjetëra të tjerë rezultojnë ende të zhdukur pasi një varkë u fundos pranë brigjeve të Xhibutit.

Lajmin e ka konfirmuar zyra e Kombeve të Bashkuara për migracionin teksa në mesin e të vdekurve janë 15 fëmijë, raporton BBC.

Varka po udhëtonte nga Xhibuti drejt Jemenit me 305 persona në bord kur u përmbys pranë qytetit portual Obok, mbrëmjen e së enjtes, teksa sipas njoftmit nga Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM), rreth 82 persona u shpëtuan.

Shefi i misionit të IOM-it në Xhibuti, Alexandre Coissac, e cilësoi tragjedinë si një “përkujtues të qartë” të rreziqeve me të cilat përballen migrantët kur kërkojnë një jetë të re diku tjetër.

“Kjo është një humbje shkatërruese e jetëve. Mendimet tona janë me të mbijetuarit dhe familjet që kanë humbur të dashurit e tyre ose që ende nuk kanë marrë lajme për të afërmit”, tha Coissac, transmeton albinfo.ch.