Skip to content

Kosova tërheq më shumë turistë, rritet për 10 për qind numri i vizitorëve në hotele

Mbi 101 mijë vizitorë qëndruan në hotelet e Kosovës gjatë gushtit 2026, ndërsa Shqipëria, Gjermania dhe Zvicra kryesojnë listën e vendeve nga vijnë turistët e huaj.

 

Kosova ka shënuar rritje të numrit të vizitorëve në hotele gjatë gushtit 2026, duke konfirmuar një interes më të madh për akomodimin në vend krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), numri i vizitorëve është rritur për 10 për qind, raporton albinfo.ch.

Gjatë këtij muaji, hotelet në Kosovë regjistruan gjithsej 101 mijë e 792 vizitorë, prej të cilëve 37 mijë e 986 ishin vendorë, ndërsa 63 mijë e 806 vinin nga jashtë vendit. Në gushtin e vitit 2025, numri i përgjithshëm i vizitorëve kishte qenë 92 mijë e 544.

Edhe numri i netëqëndrimeve dëshmon për aktivitetin e sektorit të hotelerisë. Në gusht u regjistruan gjithsej 212 mijë e 411 netëqëndrime, ku pjesën më të madhe e përbënin vizitorët e huaj, me 135 mijë e 740 netëqëndrime, ndërsa vizitorët vendorë regjistruan 76 mijë e 671.

Sa u përket turistëve të huaj, numri i tyre është rritur për 7.3 për qind krahasuar me gushtin e vitit të kaluar. Shqipëria, Gjermania, Zvicra dhe Turqia ishin vendet kryesore të origjinës së vizitorëve ndërkombëtarë.

Të dhënat e publikuara nga ASK-ja ofrojnë një pasqyrë të lëvizjeve turistike gjatë sezonit veror, kur kërkesa për akomodim dhe shërbime hotelerie zakonisht është më e lartë./Albinfo.ch