Kosova

Kurti vendos kusht për Ligjin: PDK-ja të japë gjysmën e votave për Bekim Sejdiun president

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se LVV-ja është e gatshme të procedojë me votimin e ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara, nëse PDK-ja zotohet se do t’i japë së paku gjysmën e votave për Bekim Sejdiun në garën për president.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka paraqitur një kusht të ri për votimin e ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara, në ditën kur Kuvendi përballet me afatin për zgjedhjen e presidentit të Kosovës, përcjell albinfo.ch.

Kurti tha se Lëvizja Vetëvendosje, së bashku me deputetët e komuniteteve, është e gatshme të sigurojë 62 vota, nëse PDK-ja zotohet se do t’i japë të paktën gjysmën e votave të grupit të saj parlamentar për kandidatin për president, Bekim Sejdiu.

“Nëse PDK-ja zotohet publikisht se i siguron së paku gjysmën e votave të deputetëve të tyre për Bekim Sejdiun, meqenëse pjesën tjetër e kemi bashkë me LDK-në, atëherë po procedojmë me votimin në leximin e dytë. Kërkojmë që të zotohen para jush”, deklaroi Kurti.

“Mund të votojnë edhe kundër”

Kurti tha se deputetët e PDK-së nuk janë të detyruar të votojnë pro kandidatit, por kërkesa e tij është që gjysma e tyre të votojë në favor të Sejdiut.

“Ata mund të votojnë edhe kundër. Sa herë kanë kërkuar prej nesh, ne kemi qenë të gatshëm për votën për, e ne po e kërkojmë gjysmën e tyre kundër”, tha Kurti në konferencën për media.

Deklarata e Kurtit vjen në një ditë kur partitë politike po përpiqen të gjejnë një marrëveshje për zgjedhjen e presidentit, ndërsa paralelisht vazhdon presioni politik për votimin e ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara./Albinfo.ch

 

Kurti: Ligji është urgjencë, por presidenti është emergjencë