Lajme
Braili në rënie në Zvicër, teknologjia po zëvendëson shkrimin me prekje
Në Zvicër po shënohet një rënie e përdorimit të alfabetit brail nga personat me dëmtime të shikimit. Teknologjitë moderne, si telefonat inteligjentë, asistentët zanorë dhe programet e sintezës së zërit, po ofrojnë alternativa që shpesh konsiderohen më praktike dhe më të lehta për t’u përdorur.
Në Zvicër jetojnë rreth 400 mijë persona me dëmtime të shikimit, sipas Unionit Qendror Zviceran për të Verbërit (UCBA). Megjithatë, vetëm një pjesë e vogël e tyre, rreth 10 deri në 15 për qind, zotërojnë alfabetin brail. Kjo përqindje ka ardhur në rënie, ndër të tjera për shkak të zhvillimit të teknologjive të reja.
Teknologjia si alternativë më e shpejtë
Thibault Trancart e humbi shikimin në moshën 14-vjeçare. Ai iu drejtua shpejt teknologjive audio dhe me kalimin e kohës e la në masë të madhe përdorimin e brailit.
Sot, ai mbështetet kryesisht te pajisjet digjitale dhe komandat zanore. Në kompjuter navigon përmes shkurtoreve të tastierës, ndërsa një zë i sintetizuar e udhëzon nëpër menutë dhe funksionet e ndryshme.
“Me teknologjinë, nuk ndiej nevojën të përdor brailin në punë për të qenë edhe më i pavarur. Kam mësuar të përdor shkurtoret e tastierës”, shpjegon Trancart.
Një tjetër faktor: humbja e shikimit në moshë të shtyrë
Rënia e përdorimit të brailit lidhet edhe me një tjetër faktor: numrin e personave që humbin shikimin në moshë të avancuar.
Philippe Cosandey, përgjegjës për shërbimet ndaj përdoruesve në Bibliotekën Braille Romande, thotë se personat që humbin shikimin vonë në jetë shpesh i drejtohen teknologjive audio. Për shumë prej tyre, mësimi i brailit duket si një proces i gjatë dhe i lodhshëm dhe jo gjithmonë e shohin të arsyeshme t’i kushtojnë kohë trajnimit.
Teknologjitë audio kanë edhe një avantazh të dukshëm: janë praktike. Për të kuptuar dallimin në përmasa, një vëllim i vetëm i serisë “Harry Potter” do të zinte rreth 26 vëllime në formatin A4 në brail.
Përveç këtyre faktorëve, ekzistojnë edhe pengesa më strukturore. Sipas Komisionit Romand të Brailit, mbështetja e kufizuar financiare për mësimin e brailit dhe mungesa e trajnimeve në Zvicër e vështirësojnë përhapjen e këtij sistemi shkrimi.
Organizata paralajmëron edhe për rrezikun e një forme të “analfabetizmit të padukshëm”, pasi përdorimi vetëm i teknologjive audio nuk u mundëson personave të ushtrojnë në mënyrë të mjaftueshme drejtshkrimin dhe sintaksën.
Braili dhe teknologjia mund të bashkëjetojnë
Megjithatë, braili dhe teknologjia nuk janë domosdoshmërisht alternativa që përjashtojnë njëra-tjetrën.
Thi Hanh Fleuret, eksperte e brailit dhe ndihmëse bibliotekare, e verbër që nga lindja, e përdor çdo ditë këtë sistem së bashku me pajisjet moderne.
Përmes tastierës brail në telefonin inteligjent, ajo lexon, punon dhe shkruan mesazhe.
“Çdo ditë përdor brailin, qoftë edhe për të lexuar libra për argëtim, për shembull gjatë udhëtimit me tren”, thotë Fleuret.
Kufizimet e varësisë nga teknologjia
Varësia e madhe nga pajisjet digjitale, megjithatë, ka edhe kufizimet e saj, thekson Trancart.
“Të gjitha këto aplikacione konsumojnë baterinë. Është fantastike kur funksionojnë, por mjafton që telefoni të mos ketë më bateri dhe gjendesh i bllokuar”, shprehet ai.
Kur pajisjet digjitale nuk funksionojnë, mungesa e praktikës me brailin mund ta kufizojë në disa detyra të përditshme.
“Jam i paaftë të lexoj një libër në brail. Në jetën e përditshme, për shembull me kutitë e ilaçeve dhe etiketat në brail, e njoh alfabetin, por më duhen rreth 20 minuta për të deshifruar një fjalë”, tregon ai.
Këto situata e kanë bërë ndonjëherë të pendohet për vendimin për ta lënë pas dore brailin.
“Jam fokusuar shumë te kompjuteri, sepse më mundësonte të ecja më shpejt me mësimet. Kështu, braili u la mënjanë. Ishte një zgjedhje e bërë nga nevoja, sepse duhej të zgjidhja ku ta përqendroja energjinë time. Por, duke e parë tani në retrospektivë, mendoj se duhej ta kisha ruajtur përdorimin e brailit”, thotë Trancart.
Ekspertët theksojnë se sfida nuk është zgjedhja mes brailit dhe teknologjisë, por gjetja e mënyrës për t’i përdorur ato së bashku. Ndërsa teknologjia ofron shpejtësi dhe komoditet, braili mbetet i rëndësishëm për leximin, shkrimin, drejtshkrimin dhe pavarësinë e personave të verbër.
E-Diaspora
-
Mannheim synon të rekrutojë profesionistë nga Kosova për çerdhet dhe kopshtet Gjashtë profesionistë të edukimit nga Kosova pritet të rekrutohen për të punuar në qendrat e kujdesit... -
Ambasada e Shqipërisë shpërndan libra për nxënësit shqiptarë në Zvicër -
U promovua në Graz libri i Zef Mazit “Kosova: Lufta e heshtur” -
Lozana kuqezi: Shqiptarët protestojnë me thirrjen « Drejtësi, jo politikë» -
“Bukë, kripë e zemër”: Ambasadori Hiseni merr pjesë në “Javën Shqiptare” në Paris
Jeta në Austri
-
Sonte ndeshja Kosovë – Austri, “Dardanët” synojnë tri pikët në “Fadil Vokrri” Në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë sonte Kosova përballet me Austrinë, ndeshje në të cilën synon... -
U promovua në Graz libri i Zef Mazit “Kosova: Lufta e heshtur” -
Kosova synon fitore ndaj Austrisë -
Rangnick kritikon gjendjen e fushës në “Fadil Vokrri”: Është më shumë arë se fushë -
Wiener Linien do të rrisë çmimet përsëri në 2027












